E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Financime për viktimat e trafikut dhe fëmijët e rrugës

Takimi
Premtimi i ministrit të Brendshëm, me përfaqësuesit e koalicionit kombëtar të strehëzave antitrafik

Ministri i Brendshëm premton financime për qendrat e pritjes së viktimave të trafikut, duke mos harruar edhe fëmijët e rrugës. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e koalicionit kombëtar të strehëzave antitrafik, Lulzim Basha shprehu angazhimin për të konkretizuar sa më parë porosinë e Kryeministrit Berisha për të mbështetur financiarisht qendrat e pritjes së viktimave të trafikimit. “Jeni partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër ju kërkoj të sillni sa më shpejt të detajuara propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga qeveria shqiptare. Pas kësaj, unë ju siguroj që së bashku me kolegun Ksera, do t’i shohim me përparësi dhe do t’i kalojmë në Këshillin e Ministrave brenda një kohe sa më të shkurtër”, tha ministri Basha. Ai vlerësoi se suksesi i partneritetit me organizatat që veprojnë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dëshmohet edhe nga raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, që e hoqi vendin tonë nga lista e vendeve në vëzhgim. Basha shprehu besimin se këtë vit Shqipëria do të vendoset në listën Tier 1, ku është shumica e vendeve të BE-së për sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trajtimit të viktimave të trafikut. Gjithashtu, ministri i Brendshëm nënvizoi se janë përcaktuar detyrime të qarta për personelin e Policisë së Shtetit në pikat e kalimit kufitar, për të pasur një komunikim të përhershëm me përfaqësuesit e qendrave antitrafik dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë intervistimit për identifikimin e viktimave dhe referimit të tyre për asistencë të pakushtëzuar. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave “Terre des Hommes” dhe “Arsis”, pjesë e koalicionit “Bashkë kundër trafikimit të fëmijëve”, të cilët u ndalën në problematikën e hasur me fëmijët e rrugës. Ministri Basha kërkoi paraqitjen e të gjitha propozimeve të tyre mbi këtë problem dhe shprehu mbështetjen për t’i konkretizuar në një paketë të plotë masash ligjore dhe sociale për marrjen në mbrojtje të fëmijëve të rrugës. Ministri i Brendshëm vendosi institucionalizimin e takimeve për problemet e trafikimit të qenieve njerëzore, nëpërmjet zhvillimit të tyre në mënyrë periodike të përmuajshme, si edhe përfaqësimit në këto takime të institucioneve, anëtarë të mekanizmit kombëtar të referimit për viktimat e trafikimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›