E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarë kujdes! Nga dita e sotme funksionon sëpata e ligjit Antimafie

Sekuestrohet pasuria pa dosje penale, mjafton që një polic apo prokuror t’ju ketë “inat”!
Shtetasit e Republikës së Shqipërisë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të “fshehin” pasuritë apo të hollat që kanë përfituar në “të zezë”, pasi nga sot fillon të ekzekutohet në “terren” ligji “Antimafie”, që sekuestron këto pasuri edhe nëse nuk ka një dosje penale. Mjafton që një punonjës policie apo i prokurorisë t’ju ketë “inat” dhe pasuria humbet nëse nuk është e deklaruar, duke i kaluar shtetit. Në datën 24 dhjetor të vitit të kaluar, shteti shqiptar “legalizoi” në Fletoren Zyrtare këtë ligj shumë të debatuar. Ndërkohë që hyrja në fuqi ishte 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pra sot, më 24 janar të vitit 2010. Gjatë kësaj kohe, misionet e huaja të ndihmës ligjore të akredituara në Tiranë, kanë zhvilluar takime me zyrën e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me prokurorë nga njësia Task-Forcë në prokurori, ku janë diskutuar zbatimi i këtij ligji në territorin shqiptar, pasi shumë prona apo të holla kanë si prejardhje punën në të zezë dhe emigracionin. Tashmë, të gjitha dosjet që janë në “duart” e Krimeve të Rënda dhe të Task-Forcës për pastrim parash, do të kalojnë në “sitë” dhe do të vendoset sekuestro edhe nëse dosja penale është pushuar. Në këtë rast, barra e provës i atribuohet personit të akuzuar dhe jo institucioneve të drejtësisë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se Fletorja Zyrtare ka mbërritur në prokurori dhe tashmë do të fillojë “ekzekutimi”, pasi kaloi edhe koha 30-ditore. Nga të dhënat e marra prej policisë flasin se janë përgatitur dosjet e para që do të hetojë prokuroria.
Sekuestrot
Sipas burimeve, zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punon për rivlerësimin e masave të sekuestros ndaj disa të pandehurve që janë në proces hetimi dhe gjykimi. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, ligji i ri “Antimafie” do të prekë një pjesë të mirë të dosjeve që ndodhen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në njësitë antikorrupsion. Sipas të dhënave nga prokuroria mund të preken edhe dosjet që janë nën hetim, që nuk ka filluar procedimi penal dhe dosjet që janë pushuar apo që ka vendosur gjykata për pafajësi. Mjafton që të jenë hetuar apo gjykuar për krim të organizuar e pastrim parash dhe do të bëhen objekt i këtij ligji. Megjithatë ende ligji konsiderohet me probleme, pasi janë disa nene të debatuara. Njëri prej tyre ka qenë neni 3, i cili bën fjalë për fushën e zbatimit. Në nënpikën e parë të këtij neni, thuhet se “dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie”. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se ligji që është miratuar ka disa ndryshime të mira, por sërish ka mjaft probleme. Vetëm perifrazimi “bazuar në indicie” është shumë i gjerë dhe mund të përbëjë arbitraritet në zbatimin e këtij ligji. Ligji ka përjashtuar nga hetimi të gjithë zyrtarët. Ministria e Drejtësisë, në draftin e parë, parashikonte se objekt i këtij ligji ishin edhe disa vepra penale në fushën ekonomike, si korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Në draftin e parë parashikohej që të hetoheshin edhe vetë gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e tjerë të organeve të drejtësisë, por këto të dhëna janë hequr në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë që është shtuar vepra penale e pastrimit të parave dhe prostitucioni.
Problemet
Një nga problemet e tjera të konstatuara është kompetenca që i jepet Gjykatës së Krimeve të Rënda të sekuestrojë dhe konfiskojë pasuri që nuk janë vepra penale të parashikuara në ligjin për funksionimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Megjithatë, grupet e interesit e kanë të pamundur që të rikthejnë ligjin. Të dhënat nga prokuroria deklarojnë se shoqatat dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë të gjithë tagrin për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj shumë të debatuar. Por edhe gjyqtarët që vërejnë mospërputhje të ligjit me Kushtetutën mund të kërkojnë pezullimin dhe rishikimin e ligjit. Ndërkohë që shtetasit shqiptarë që mund të bëhen objekt hetimi nga ligji “Antimafie” mund t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese interpretimin e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›