E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i organeve, Gjetaj: Kemi të tjera dëshmi

Prishtinë -Trafiku i organeve të kosovarëve të vrarë, duke se po kthehet pak e nga pak në realitet. Gjithsesi, përveç deklaratave në media, nuk kanë nisur hetimet, apo që të jetë zbuluar ndonjë fakt i veçantë, që dëshmon për ekzistencën e këtyre krimeve. Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në qeverinë e Kosovës, thotë për gazetën “Lajm” se këto informata që plasohen edhe në media, por edhe nga familjarët lënë vend për dyshime. “Përderisa kemi ende të zhdukur, lë vend për dyshime”. Gjetaj qëndron prapa asaj që ka thënë më herët se ekzistojnë fakte të bollshme se në varrezat e Shkupit janë të varrosur rreth 20 shqiptarë nga Kosova, të cilët forcat serbe, pasi i kanë vrarë, i kanë hedhur në lumin Lepenc.

“Ne kemi informata të sakta për këto, por edhe kemi dëshmitarë që kanë shkuar aty dhe i kanë fotografuar dhe incizuar këto varreza. Ne jemi në gjendje që palës maqedonase këto dyshime tona t’ia dokumentojmë me fakte dhe dëshmi”-thotë Gjetaj. Sipas tij, lidhur me këto dyshime ka edhe dëshmitarë të gjallë, të cilët i kanë varrosur ata trupa, që i kanë gjetur në breg të lumit gjatë luftës. Këta dëshmitarë, sipas Gjetajt, janë shqiptarë të Maqedonisë dhe ata, sipas tij, janë të gatshëm ta dëshmojnë këtë.

Për këto njohuri është njoftuar edhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili pret të fillojë bisedimet me homologun e tij nga Maqedonia. Antonio Miloshovski, në mënyrë që të dyja shtetet ta hapin rrugën e fillimit të hulumtimit rreth kësaj çështjeje shqetësuese. “Ne jemi duke punuar me fakte dhe posa të merren vesh dy ministritë jemi të gatshëm që të bëhet fillimisht verifikimi, e më pas edhe zhvarrimi i kufomave, në mënyrë që t’u bëhen analizat e mëtutjeshme”-thotë Gjetaj, i cili shpreson se të dyja ministritë do ta gjejnë momentin e volitshëm që të bisedojnë edhe rreth kësaj çështjeje, pasi që, sipas tij, Kosova dhe Maqedonia, përveç kësaj, kanë edhe prioritete tjera, siç është çështja e kufijve etj.

“Kam informata se kjo çështje do të trajtohet në momente të volitshme politike të dy shteteve”, tha Gjetaj. Përveç kësaj, ai e sheh të vështirë edhe dialogun me palën serbe, por tha se kjo mënyrë është e vetmja alternativë për ta zbardhur fatin e të zhdukurve. “Dialogu me palën serbe është gjithnjë e më i vështirë, por kjo është e vetmja dritare dhe ne nuk mund ta mbyllim, sepse adresa për t’i kërkuar të pagjeturit është Beogradi dhe Qeveria e Serbisë. Prandaj, si e vetmja dritare mbetet kjo, edhe pse kohën e fundit ka fare pak rezultate, por kjo është e vetmja mundësi”.

Gjetaj mendon se pa ndonjë presion ndërkombëtar mbi Serbinë nuk do të ketë ndonjë rezultat. Sipas tij, është vështirë që të marrim informata nga Serbia, për faktin se ata kanë pasur institucione dhe në mënyrë institucionale janë bërë të gjitha ato krime.

“Dyshimet ekzistojnë se ka ende varreza masive në Serbi, por ata duhet të tregojnë se ku gjenden, sepse ne për to edhe kemi fakte. Për shembull, në rastin e masakrës së Kralanit. Është e ditur se në atë kohë operacionin e ka udhëhequr një oficer serb me mbiemrin Grujic. Në Kralan janë marrë 86 veta, 30 prej tyre janë identifikuar, ndërsa 56 të tjerë ende nuk dihet se ku janë. Gjithë këta janë gjetur në varreza të ndryshme nëpër Serbi, prandaj shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ata që kanë udhëhequr me këto operacione e dinë këtë. Ne kemi dyshime se kanë mundur të përdoren edhe furrat për t’u asgjësuar edhe gjurmët, e gjithashtu edhe për ekzistimin e burgjeve sekrete, gjë që mohohet nga pala serbe”. lajm/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›