E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken pamjet e kamerave të burgut

Avokati i Popullit kërkon ndryshimin e drejtorit të burgut të Burrelit dhe emërimin aty të një personi me eksperiencë, që ka dhënë prova në përmirësimin e situatës me të dënuarit.

Trazhgim Sokolaj

Kërkesa është bërë pjesë e një rekomandimi që Dobjani ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pas një inspektimi të zhvilluar në datat 29-30 prill 2008, rreth situatës në burgun e Burrelit. Kontrolli në këtë institucion ka zbuluar fakte skandaloze lidhur me trajtimin e të dënuarve. Dhe sikur të mos mjaftonin keqtrajtimet dhe shkelja e të drejtave të personave të dënuar, sipas raportit, janë zhdukur edhe imazhet e filmuara nga kamerat e sigurisë së brendshme të burgut, ku mund të verifikoheshin jo vetëm veprimet e dhunshme të gardianëve, por edhe mekanizmi i arratisjes së dy të dënuarve që u larguan nga qelitë e Burrelit më 5 prill të këtij viti. Sipas raportit të bërë publik nga zyra e shtypit pranë Avokatit të Popullit, policia në burgun e Burrelit ka rritur ndjeshëm kontrollet dhe presionin në institucionin e vuajtjes së dënimit pas arratisjes së dy të dënuarve. Një regjim i tillë kontrollesh të shpeshta e të befasishme, shoqëruar me zhurmë dhe përqendrim të madh policësh nëpër burg, ka vazhduar prej datës 5 prill 2008, kur dy të dënuarit, Preng Lleshi e Fran Marashi arritën të arratisen nga qelitë e seksionit B për t’u arrestuar rreth 30 minuta më pas. Mes shkeljeve të renditura në raportin e Avokatit të Popullit pas kontrollit në burgun e Burrelit, citohen raste të ushtrimit të dhunës fizike ndaj katër të dënuarve, njëri prej të cilëve i moshuar mbi 70 vjeç. “Policia e Burgut ushtron kontrolle të zhurmshme gjatë natës, duke bërtitur, kërcënuar dhe duke mbushur armët me zhurmë”, thuhet në raportin që sqaron se veprimet e Policisë së Burgut bëhen me qëllim frikësimin e të dënuarve.
Skandal në Burrel
Që në krye të raportit të Avokatit të Popullit, thuhet se pranë këtij institucioni kanë mbërritur ankesa të shumta nga personat që mbahen në burgun e Burrelit për keqtrajtime dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Nisur nga ky numër i lartë ankesash, inspektorët e Avokatit të Popullit kanë shkuar në burgun e Burrelit dhe kanë marrë kontakt me të dënuarit. Ata kanë verifikuar edhe dokumentacionin zyrtar si dhe kanë takuar edhe drejtorin e burgut, Beqir Metani. Nga vlerësimi i të gjitha fakteve të mbledhura, është konstatuar se në burg është krijuar një situatë e tensionuar pas tentativës së arratisjes nga dy të dënuarit, Preng Lleshi e Fran Marashi. Ky tension është bërë shkak për një sërë ngjarjesh në dëm të të drejtave të personave të dënuar. Gjatë kontrolleve në dhomat e burgut, ka pasur raste dhune të policisë mbi të dënuarit. Ata janë përballur me veprime fyese të bëra nga policët e burgut të Burrelit, të cilët nuk i kanë lejuar të dënuarit që të telefonojnë në linjën pa pagesë tek Avokati i Popullit dhe për t’u ankuar lidhur me situatën e krijuar. Pas ngjarjeve të ndodhura në burgun e Burrelit, është marrë masa ndëshkimore me mbyllje në dhomën e izolimit për të dënuarit me iniciale H.L dhe G.U. Ata janë mbajtur dy ditë në izolim pa një vendim përkatës nga Komisioni i Disiplinës dhe, kjo konsiderohet shkelje ligjore në raportin e Dobjanit, ku theksohet se policia ka arritur deri në “gjakosje”, “tërheqje zvarrë nëpër korridoret e burgut” dhe “goditje ndaj personave të moshuar”, (i dënuari me iniciale N.C., 80 vjeç).

Shkeljet në burg

1. Në burgun e Burrelit, pas tentativës për arratisje të dy të dënuarve, ka një tensionim të situatës në trajtimin e të dënuarve.

2. Policia e burgut të Burrelit ka iniciuar një regjim kontrollesh të shpeshta mbi dhomat e burgut, ku janë konstatuar akte të dhunshme të pajustifikuara ndaj të burgosurve.

3. Punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë tejkaluar detyrat e tyre për kryerjen e apelit të të burgosurve konform rregullores së përgjithshme të burgjeve, duke kryer veprime të pajustifikuara dhe fyese ndaj të burgosurve.

4. Të burgosurit nuk janë lënë për asnjë çast nga Policia e Burgut Burrel të komunikojnë me Avokatin e Popullit, megjithëse për ta ekziston një numër pa pagesë.

5. Kjo ka sjellë edhe një sërë protestash, grevash urie dhe akte të tjera demonstrative nga ana e të burgosurve, të cilët kanë kundërshtuar klimën e rëndë të krijuar në burg.

6. Avokati i Popullit ka dyshime të bazuara se ushtrimi i dhunës fizike ndaj të burgosurve, H.L., E.R. dhe G.U., është bërë duke interpretuar me dashakeqësi termin “forcërisht” me akte të tjera çnjerëzore dhe degraduese nga ana e Policisë së Burgut Burrel.

7. Nga dokumentacioni i paraqitur nga Drejtoria e Burgut Burrel dhe fotografimet e bëra, rezulton se ndaj të burgosurve H.L. dhe G.U. është ushtruar dhunë fizike me pasojë dëmtime të tyre në kokë dhe në trup.

8. Drejtoria e Burgut Burrel i ka çuar për ndjekje penale këta dy të burgosur, duke i akuzuar se “kanë kundërshtuar me forcë” Policinë e Burgjeve, duke mos lejuar që edhe ata të bëjnë denoncim.

9. Policia e Burgut Burrel kryen zhurmë gjatë natës, duke thirrur, mbushur armët, kërcënuar të burgosurit dhe duke i lënë ata pa gjumë në kushtet e një terrori psikologjik.

10. Avokati i Popullit shpreh rezerva për faktin e mosmbajtjes së arkivuar për një kohë të gjatë të filmimeve të sigurisë në burgun e Burrelit, ç’ka hedh dyshime të rënda mbi mënyrën e administrimit të tyre, me qëllim për të mbuluar dhunën në burg.

Zhdukja e pamjeve filmike, pengoi hetimet për arratisjen nga burgu

TIRANE – Zhdukja e imazheve filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë së burgut të Burrelit, sipas Prokurorisë së këtij qyteti, është bërë pengesë edhe në hetimin e arratisjes së dy të dënuarve më 5 maj 2008. Verifikimi i pamjeve të fiksuara nga kamerat e brendshme të burgut, do t’i kishte ndihmuar hetuesit të mësonin si kishte ndodhur që dy të dënuarit arritën të dalin nga qelia, e më pas të largohen jashtë burgut pa shqetësimin e policisë, derisa dolën në pjesën e jashtme të institucionit. Por në fakt, “humbja” e pamjeve filmike është verifikuar gjatë kontrollit të bërë në burgun e Burrelit nga inspektorët e Avokatit të Popullit. Duke iu referuar numrit të madh të ankesave për dhunë nga të dënuarit, inspektorët e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të shikojnë pamjet e fiksuara prej kamerave, por imazhe të tilla nuk janë gjetur aty. Është e paqartë se cili ka qenë shpjegimi i burgut për zhdukjen e pamjeve të kërkuara fillimisht nga Prokuroria, e më pas edhe nga Avokati i Popullit. Megjithatë ky i fundit, duke mos e parë këtë moment si shumë të lidhur me arratisjen, shprehu dyshimet se keqadministrimi i imazheve të fiksuara prej kamerave të sigurisë së brendshme të burgut, duhet të jetë bërë me qëllim fshehjen e pamjeve ku gardianët janë regjistruar duke ushtruar dhunë e duke kryer veprime të tjera të paligjshme ndaj të dënuarve. Sistemi shqiptar i burgjeve prej disa viteve është pajisur tashmë me mekanizëm vëzhgimi kamerash, të cilat mbulojnë gjithë hapësirën e brendshme të institucionit dhe një rreze të caktuar rreth tij. Kamerat përdoren me qëllim kontrollimin e lëvizjeve të personave të burgosur dhe abuzimeve të mundshme nga policët apo gardianët e regjimit të brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›