E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Prokuroria e Romës hetime në Shqipëri

Prokuroria e Romës po heton
për trafikun e të miturve
nga Shqipëria në Itali për
qëllim transplantin e paligjshëm
të organeve. Këtë e ka shkruar
"Censis" (Qendra e Studimeve
Sociale) në raportin për trafikun
e qenieve njerëzore të vitit të
shkuar. "Në Shqipëri vitet e fundit
janë nisur hetime për rastet
e trafikut të të miturve, lidhur
me trafikun ilegal të organeve"
shkruan "Censis". Një nga rastet
më tipike është hapja e hetimeve
nga doktor Adelki D‘Ipolito, i
prokurorisë së Romës, i cili po
heton në Shqipëri për një trafik
të mundshëm të minorenëve, që
dyshohet se janë transferuar në
Greqi dhe Itali për t‘u shfrytëzuar
për transplant të organeve. Trafiku
duket se e implikon Italinë jo
vetëm si vend transit, por edhe si
destinacion final ku realizohen
transplantet. Hetimet janë në
një fazë të rëndësishme. Sipas të
njëjtit raport theksohet se ka prova
të transplanteve të qytetarëve
italianë në vendet donatore. Në
pjesën më të madhe të rasteve,
kanë udhëtuar deri në Indi për
transplantin, që deri në vitin 1994
në këtë vend shitja e organeve
ka qenë legale. Alarm për trafik
organesh të të miturve në Itali e
ka dhënë edhe ministri i Brendshëm,
Roberto Maroni, gjatë
punimeve të asamblesë së përvitshme
të UNICEF, të mbajtur në
Romë. Ai ka deklaruar se shumë
prej fëmijëve që mbërrijnë ilegalisht,
rezultojnë të zhdukur,
duke lënë dyshime të forta për
të trafik të mundshëm organesh.
Sipas ministrit, janë zbuluar edhe
prova të trafikimit të organeve
të fëmijëve emigrantë. "Një nga
mënyrat me efikase që do të përdorim
për të ndalur këtë fenomen
është aktualizimi i një marrëveshjeje
ndërkombëtare të quajtur
Prum, që do të mundësojë që
edhe Italia të disponojë të dhënat
e ADN-së dhe do të ketë lidhje
dhe me vende të tjera evropiane",
ka thënë ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›