Flamur Bime: LSI-ja na akuzon për fushatë elektorale
Ballafaqimi mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vijuar edhe dje përmes replikave që kanë zanafillën nga bastionet e së majtës në jug të vendit. Kështu, pas akuzave të para disa ditëve të përfaqësuesve të LSI-së ndaj kreut socialist të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, ka reaguar dega e PS-së së këtij qyteti. Në përputhje me retorikën akuzuese që ka mbërthyer klasën politike në Tiranë, edhe deklarimi i djeshëm nga Gjirokastra ka respektuar tonin politik të ditës, por edhe natyrën e akuzave të hedhura pak ditë më parë nga përfaqësuesi i LSI-së, Besian Pesha. “I punësuari tashmë në ministrinë e Dritan Priftit, Besjani tentoi të fliste po me gjuhën e Dritanit, duke i qarë hallin gjirokastritëve se nga keqmenaxhimi i qytetit prej bashkisë socialiste, na paskan humbur nga 3 mijë euro çdo familje, kur të gjithë e dinë se është tërësisht e kundërta. Besiani erdhi në Gjirokastër për të nisur fushatën elektorale të LSI-së për zgjedhjet lokale”, thuhet në deklaratën e degës së PS-së së Gjirokastrës.
#