E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e 9 Janarit, përfundon greva e urisë

Ministria e Drejtësisë premtoi zgjidhjen e kërkesave familjarëve të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit të vitit 2004, në brigjet e Karaburunit në Vlorë. Familjarët: Do ngujohemi sërish nëse na gënjejnë. 

SHKODER Përfundon greva e urisë e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit të vitit 2004, në brigjet e Karaburunit në Vlorë. Në ditën e 22-të të grevës, Ndoc Bjeshka dhe Mark Grizha kanë dalë nga dhoma ku ishin ngujuar së bashku me arkivolet bosh. Ata ishin betuar se nëse nuk do të zgjidheshin kërkesat e tyre, do të futeshin vetë në to. Rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, dy grevistët e urisë deklaruan se falenderojnë publikisht nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. "Ne falenderojmë Kreshnik Spahinë, i cili u angazhua seriozisht në plotësimin e kërkesave tona. Ai ndërmori hapa konkrete, ndaj vendosëm të dalim nga greva e urisë", - ka pohuar Ndoc Bjeshka. Sipas tij, duhet të falenderohet dhe Ministria e Drejtësisë, e cila zyrtarisht është angazhuar me këtë çështje. Ndërkohë, mësohet se dy familjarët e viktimave të tragjedisë së shënuar 5 vite më parë në Vlorë, pranuan të dalin nga greva e urisë pas takimit të realizuar paraditen e djeshme me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë u kanë premtuar të afërmve të viktimave të 9 Janarit gjithë ndihmën e nevojshme për zbardhjen e së vërtetës, si dhe gjetjen e trupave të 8 të mbyturve. Ndërkaq, Ndoc Bjeshka ka deklaruar se "do t'i rikthehemi grevës nëse nuk jepet zgjidhja e duhur. Nëse këto premtime që na u bënë për të ndërprerë grevën nuk do mbahen, atëherë do i kthehemi sërish grevës së urisë dhe nuk do ketë më kthim prapa".
Familjarët e viktimave të 9 Janarit u futën para tri javësh në grevë urie, pasi deklaruan se dispononin fakte të reja rreth tragjedisë. Gazeta Shqiptare siguroi dëshminë e plotë të Sokol Bizhgës dhënë menjëherë pas ngjarjes në Prokurorinë e Vlorës, ku thuhej se bëhej fjalë për dy gomone. Sipas Bizhgës, gomonia me tetë trupat e personave të zhdukur u gjet në Gjirin e Dafinës. Nisur nga ky fakt dhe të tjera, grevistët kërkuan gjetjen e trupave të pajetë të bijve të tyre, si dhe që hetimi për këtë çështje të bëhej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.
(GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›