E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, hetimet në vendnumëro

Dy muaj pas tragjedisë së Gërdecit, hetimet kanë mbetur në vendnumëro me të njëjtin rreth personash nën hetim e me vetëm tre të arrestuar; Delijorgji, Pinari dhe Minxhozi. Tragjedia që u mori jetën 26 personave dhe plagosi më se 300 të tjerë, nuk ka ende të akuzuar të drejtpërdrejtë si përgjegjësit e saj. Në pritje të plotësimit të materialeve që do t‘i dërgohen sërish Këshillit të Imuniteteve me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, hetuesit po vijojnë me marrjen në pyetje të rrethit të ushtarakëve. Burime nga akuza qendrore thanë se në Kuvend pritet të dërgohen dhjetëra urdhra të ish-ministrit Mediu dërguar Shtabit të Përgjithshëm. Ndërkohë, dy ditë më parë, Presidenti Bamir Topi me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dekretoi shkarkimin e dy gjeneralëve Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja. Por pavarësisht se dy ushtarakët e lartë të Forcave të Armatosura janë marrë disa herë rresht në pyetje nga prokurorët, zyrtarisht organi i akuzës pohon se ata nuk janë në listën e të hetuarve. Por derisa Këshilli i Imuniteteve të shqyrtojë sërish kërkesën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama për të vendosur mbi fatin e ish-ministrit Mediu, në gjendje arresti vazhdojnë të jenë vetëm drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, administratori i "Albademil", Mihal Delijorgji, dhe Dritan Minxhozi. Ndërsa nën hetim në gjendje të lirë janë dy persona, Sokol Ngjeci, inspektor i MEICO-s në Gërdec dhe Dashnor Çaushi, drejtor i Logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se organi i akuzës do të dërgojë së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë materialet shtesë shkresore për të marrë autorizimin për të ndjekur penalisht ish-ministrin e Mbrojtjes, deputetin republikan Fatmir Mediu, për ngjarjen e rëndë të 15 marsit të ndodhur në fshatin Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›