Traja: Pse Luarasi kërkoi ish-konviktin, kemi qëllime publike

Rektori i Universitetit Luarasi, Kristaq Traja
Flet rektori Kristaq Traja: Në përputhje të plotë me ligjin.
Pse Luarasi e kërkoi godinën e Gjuhëve të Huaja
Prodhojmë dije, qëllimet tona janë njësoj publike, zgjedhja i takon studentëve
Pas hapjes së debatit publik për godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja, e cila është kërkuar të merret me qira nga universiteti Luarasi, reagon rektori Kristaq Traja. Kur bëhet fjalë për prodhim dijesh, sipas tij, askujt nuk i lind e drejta të bëhet vlerësuesi se ku fillon e ku mbaron interesi publik. Kjo e drejtë u takon studentëve, të cilët janë të lirë të zgjedhin.
Në intervistën e tij për gazetën, rektori shpjegon se procedurat e ndjekura nga universiteti Luarasi janë në përputhje të plotë me ligjin. Ai u përgjigjet edhe pretendimeve të kreut të UT, Dhori Kule, duke theksuar se çdo person i arsyeshëm nuk do të kërkonte përjashtimin nga pjesëmarrja e lirë në transaksionet juridike të një institucioni privat arsimor me shtetin ose organet e qeverisjes vendore.
Z. Traja, prej ditësh është hapur një debat për godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja, të cilën universiteti Luarasi ka kërkuar ta marrë me qira për studentët e tij. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, thotë se kjo godinë duhet ti jepet UT. Si e keni përjetuar këtë debat në cilësinë e rektorit të universitetit Luarasi?
Natyrisht, e kam ndjekur këtë histori, sepse ajo prek drejtpërsëdrejti shkollën, për të cilën unë përgjigjem nga ana akademike. Aktualisht shkolla ndodhet në një godinë të marrë me qira dhe nga kapaciteti i saj nuk përballon dot ngarkesën numerike të studentëve, e cila, duke parë dhe perspektivën, ka prirjen e qartë të shtohet. Shkolla, përveç profilit juridik dhe të administrimit publik, ka në planet e saj për të ardhmen imediate dhe të mesme synime cilësore, projekte të lidhjeve me universitete të dëgjuara të huaja, të ngritjes së laboratorit kriminalistik etj. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse të nevojshme për një shkollë të lartë, dhe jo thjesht qëllime komerciale. Me këtë sy, debatin publik rreh godinës së konviktit të Gjuhëve të Huaja e kam ndjekur me shqetësimin legjitim të atij që e sheh si çështje me ndikim të drejtpërdrejtë mbi fatin e shkollës, cilësinë e programeve dhe arritjes së synimeve serioze që i kemi vënë vetes për të nxjerrë diplomantë me cilësi, siç ka qenë dhe mbetet tradita e kësaj shkolle. Pra, kërkesa për një hapësirë ndërtimore në përshtatje me synimet dhe me standardet që kërkon arsimi i lartë, është, natyrisht, e mbështetur në fakte e në logjikë. Por, mund të thonë se shkolla është private dhe se privatët e kanë detyrë të zgjidhin problemet që shoqërojnë mbajtjen në nivel normal të një shkolle të lartë. Kjo është gabim, po për këtë do të flas më poshtë.
Është normale që rektori i Universitetit publik të kërkojë të zgjidhë probleme të tilla si ato që ka edhe shkolla Luarasi. Për këtë ka procedura legale që duhen ndjekur. Nuk besoj se ka njeri të arsyeshëm të thotë se kërkesa të këtij lloji janë të ndaluara! Pse? Me këtë kaloj te përgjigjja e pyetjes së dytë.
Sipas z. Kule, qeveria duhet tia japë këtë godinë Universitetit shtetëror të Tiranës për qëllime publike. A përfaqësoni dhe ju si universitet privat qëllime publike dhe çfarë projektesh keni si universitet pasi ta merrni me qira?

Godina e konviktit të Gjuhëve të Huaja
Sipas z. Kule, godina në fjalë duhet ti jepet Universitetit shtetëror të Tiranës. Për arsye dhe për qëllime publike. Duket sikur shkolla Luarasi nuk ka qëllime publike! Por, siç është e qartë për këdo që merret me punë të tilla, arsimi nuk është asnjëherë çështje private. Ai është tepër i rëndësishëm për tu konsideruar çështje komerciale dhe aktivitet fitimprurës. Vetë Kushtetuta (neni 57/6) qëllimisht nuk flet për shkolla private, por për shkolla jopublike. Nëse dija është themeli dhe e ardhmja e shoqërisë, nëse ajo është qytetërim, atëherë arsimi nuk mund ti lihet arbitrimit të privatëve dhe logjikës thjesht tregtare. Prandaj është e natyrshme një mbikëqyrje e Ministrisë së Arsimit mbi programet mësimore në masën dhe nivelin e pranueshëm për një dije të dhënë e të marrë lirisht, brenda kuadratit të vlerave që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike.
Kur Kushtetuta flet për shkollat jopublike ka parasysh faktin se, së pari, ato nuk mund të jenë private në kuptimin komercial dhe, së dyti, kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi çështje të rëndësisë publike. Nuk di çmund të ketë më publike se arsimi.
Kur z. rektor i Universitetit publik thotë se godina në fjalë duhet ti jepet këtij Universiteti, ai mendon ndoshta se vetëm kjo shkollë përfaqëson interesat publike. Por kush duhet ti peshojë këto vlera? Të interesuarit? Sigurisht, ata mund ta bëjnë ketë gjë, por pikërisht për këtë arsye edhe shkolla Luarasi ka të drejtë të plotë të pretendojë për kushte më të mira materiale që të përçojë më mirë një arsim që ka qëllime dhe efekte publike. Në këtë shkollë ne nuk japim mësim teoritë tona private. Mjafton të shikoni programet e saj në krahasim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës dhe do të gjeni përputhje në një masë të përgjithshme. Dhe kjo është më se e natyrshme, pasi diktohet nga vetë natyra e dijes dhe e profesionit që jepet.
Atëherë, kur janë në peshore vlera të tilla publike ai që vendos është organi publik i veshur me atribute pushteti. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë motivet e një kërkese të tillë. Ajo që ka rëndësi vendimtare është ndjekja e përpiktë e ligjeve materiale dhe e procedurave ligjore. Askush nuk është në gjendje të thotë se në rastin e shkollës Luarasi ligji dhe procedura u shkel. Sa për atribuimet se këtu mban erë padrejtësie apo korrupsioni, mund të them vetëm se këto janë të vërtetueshme në çdo rast. Ata që thonë hamendje të tilla duhet ta dinë se motivet dhe interesat e kërkuesit nuk janë ligji. Ligji ngarkon Bashkinë të bëjë veprime juridike me pasurinë që i është besuar ta administrojë. Çdo çështje që bëhet ligjore duhet të marrë vetëm përgjigje ligjore. Luarasi nuk është as bashki, as gjykatë që të mund ti vihen përsipër përgjegjësi shtetërore për cenim të interesave publike. Nëse shkolla Luarasi ka qëllim të përparojë, dhe kjo është fare legjitime, ajo nuk duhet të gjendet vazhdimisht në perspektivën e zymtë të mungesës së hapësirës për të zhvilluar projektet e saj. Ndikimi i fuqishëm publik i arsimit privat nuk pajtohet me logjikën e thatë tregtare që e konsideron shkollën si ndërmarrje që lihet në fatin e saj. Shkolla normalisht nuk duhet të falimentojë për arsye ekonomike, përveç kontributeve të vetë studentëve, çka varet nga cilësia e arsimdhënies.
Debati i fundit për godinën e ish-konviktit të Gjuhëve të Huaja vjen pas një atmosfere skeptike që është krijuar mbi universitetet private dhe akuzave për shitje diplomash dhe mungesë cilësie. Si do ti përgjigjeshit ju si rektor i një prej universiteteve të para private të krijuara në Shqipëri?
Nëse ka skepticizëm, disa herë të motivuar, rreth cilësisë së arsimit në shkollat jopublike, kjo nuk është arsye për ti përjashtuar këto nga pjesëmarrja në mundësitë që ofron shteti ose pushteti vendor me masa materiale, organizative, promovues