E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajkovic: Beogradi asnjë strategji për veriun e Kosovës

BEOGRAD- Integrimi i veriut të Kosovës është i pranueshëm, por për këtë çështje duhet të ketë konsultime me serbët e Kosovës, si dhe të ketë bashkërenditje të veprimeve në këtë drejtim, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës qendrore, Rada Trajkovic dhe Sllavisha Petkovic, duke reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanovic.

Ky i fundit ka kundërshtuar strategjinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për integrimi e veriut. Ai ka thënë se zbatimi i strategjisë është i papranueshëm jo vetëm për veriun, por për gjithë Kosovën. Rada Trajkovic thotë se duhet pasur parasysh faktin se në mesin e serbëve, madje edhe në Beograd dhe në Kuvendin e Serbisë, nuk ekziston totalitarizmi sa i përket mënyrës së të menduarit. “Nuk mund të pritet që të gjithë serbët të mendojnë në mënyrë identike. Nëse guxoj t’ia lejoj vetes këtë të drejtë, atëherë unë them se nuk mendoj në atë mënyrë. Unë nuk do ta pranoja orientimin decidiv se integrimi i veriut të Kosovës është i papranueshëm”, thotë Trajkovic.

Sipas saj, integrimi i veriut është i pranueshëm, siç tha, jo për hir të shqiptarëve, por për hir të serbëve në jug të lumit Ibër, nëse modalitetet do të nënkuptonin lidhjet institucionale edhe me Prishtinën, para së gjithash, në fushën e institucioneve për zbatimin e ligjit.

Ndryshe, lidhur me deklaratën e ministrit serb, Bogdanovic, se nuk duhet pranuar insistimet për shuarjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, zonja Trajkovic thotë se këto institucione janë rezultat i mospranimit të shqiptarëve, menjëherë pas luftës, që të punojnë bashkërisht me serbët.

Sipas saj, te serbët tashmë ekziston mosbesimi ndaj institucioneve, në të cilat shqiptarët janë shumicë. Por, siç thotë Trajkovic, duhet kërkuar një zgjidhje lidhur me këtë problem. “Unë mendoj se veriu i Kosovës duhet ta ketë një status special, që unë e quaj distrikt, i cili në fakt do të ishte një hapësirë, e cila, në një mënyrë, do të pajtonte shtetin e Serbisë dhe institucionet në Prishtinë. Kjo hapësirë do të ishte urë e bashkëpunimit, e jo urë që nxit kundërshtime dhe shkatërrime”, thotë Trajkoviq.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë në Serbi kanë deklaruar se nuk kanë ndonjë kundër- strategji përballë strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për veriun.

Rada Trajkovic thotë se veprimi i tillë i Beogradit mund të nxisë dyshime se ai është i orientuar kah ndarja e Kosovës. “Dikush do të mund të thoshte se Beogradi po shkon në drejtim të ndarjes së Kosovës, gjë të cilën unë nuk e besoj. Thjesht, Beogradi nuk ka guxim që ta thotë atë që është reale”.
“Kjo është mungesë e guximit dhe jo mungesë e perceptimit se çka po ndodh në të vërtetë dhe çfarë duhet të jetë zgjidhja normale, e cila do të udhëhiqte drejt stabilitetit të rajonit”, përfundon Trajkovic.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›