E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri spanjoll Julian Rubio Sanchez largohet nga Tirana

Hulian Rubio Sançez nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Vendimi është marrë të martën pasdite, pas një takimi që tekniku i njohur spanjoll pati me drejtuesit e klubit bardheblu në lidhje me çështjen e kontratës. Largimi i Rubios kishte ditë që përflitej, por sot ka ardhur edhe zyrtarizimi, që është pohuar nga vetë ai gjatë seancës stërvitore të pasdites. 

I ardhur një vit më parë, ai ka treguar se është një prej trajnerëve më të mirë të huaj që kanë drejtuar në futbollin shqiptar, duke fituar tre trofe, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. Por, rroga e tij e lartë dhe kërkesat e vazhdueshme për një merkato më kompetitive, çuan në një krisje me drejtuesit edhe pse vetë tekniku thoshte se dëshironte të qëndronte. Ndërkohë, Rubio duket tashmë shumë pranë pankinës së Flamurtarit, që kërkon të zëvendësojë të larguarin Shkëlqim Muça. Mes spanjollit dhe drejtuesve të klubit vlonjat kanë nisur kontaktet, ndërkohë që mbetet për t’u arritur akordi për anën financiare.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›