E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet në Prokurori, Withers: Ina Ramën e mbështet Topi

Ish-ambasadori John Withers shpreh shqetësimin, përmes një telegrami të nisur në DASH për uljen në detyrë të 14 prokurorëve. “Transferimi i bashkëpunëtorit të Sollakut, Ardian Visha, ka lënë shije të keqe si ulje në detyrë. Ina Rama emëroi shokun e saj të klasës, Arjan Ndojën, edhe pse u shkarkua për shkelje”

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers ka komentuar gjatë lëvizjet në Prokurorinë e Përgjithshme, të propozuara nga Ina Rama. Në një telegram të dërguar në Washington më 6 shkurt 2008, ish-ambasadori përcjell shqetësimet dhe komentet mbi këtë lëvizje në masë të 14 prokurorëve, që asajkohe cilësohej si politike. Vëmendjen e Withers e kanë tërhequr veçanërisht uljet në detyrë të Xhevat Hanës, që në atë kohë kishte dosjen Durrës-Kukës dhe të drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Ardian Vishes, që sipas ambasadorit njihej si njeriu i besuar i Sollakut. Nga ana tjetër, Withers ka pohuar në këtë telegram atë që flitet prej kohësh, se kryeprokurorja mbështetej ngushtë nga presidenti Topi, të paktën në fillim të punës së saj.

Telegrami i datës 6 gusht 2008

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama ndërmori valën e parë të ndryshimeve në zyrën e saj, që prej emërimit në nëntor të vitit 2007. 14 prokurorë të cilët ishin duke shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme janë lëvizur nga pozicionet, ndërsa janë ndryshuar drejtuesit e disa prej prokurorive lokale. Prokurorët e transferuar u emëruan në Prokurorinë e Apelit, atë për Krimet e Rënda dhe në qarqe të vendit. Edhe pse kryeprokurorja Ina Rama pohoi se lëvizjet ishin apolitike dhe kishin si qëllim ristrukturimin dhe dinamizmin në operacionet e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, opozita i konsideroi lëvizjet si të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me ligjin. Të tjerë vëzhgues kanë vënë në dijeni se Prokuroria e Përgjithshme ishte e mbingarkuar në staf dhe kishte nevojë për reformë. Në 21 janar, Presidenti Topi dekretoi transferimin e 14 prej 33 prokurorëve që aktualisht shërbenin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe aprovoi drejtuesit e rinj në disa Prokurori të rretheve. (Shënim: Propozimet e Prokurores së Përgjithshme për ndryshimet në staf duhet të aprovohen nga Presidenti.) Rama justifikoi ndryshimet, me reduktimin e stafit në bazë dhe forcimin atje ku kishte nevojë të prokurorive. Drejtuesit e Prokurorive të Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Elbasanit u zëvendësuan gjithashtu si pjesë e ndryshimeve. Sipas burimeve në zyrën e Prokurorisë, të tjera ndryshime në Prokuroritë e rretheve janë planifikuar në të ardhmen. Nga 14 prokurorët e transferuar, 7 u emëruan në Prokuroritë e Apelit, dy të tjerë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për të cilën Ambasada ka vlerësim të lartë. Bashkëpunëtori i ngushtë i ish-kryeprokurorit Sollaku, i cili mbante postin e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë, Ardian Visha u transferua në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Rama transferoi gjithashtu prokurorin Xhevat Hana, një nga tre prokurorët që merrej me dosjen e Rrëshen-Kalimashit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Transferimi i Hanës hasi kundërshtinë e opozitës, e cila e akuzoi Ina Ramën për ndëprerje të qëllimtë të hetimit për këtë çështje të shumëdiskutueshme. Në një deklaratë për shtyp, Prokurorja e Përgjithshme siguroi se Hana do të vazhdonte të merrte pjesë në hetimin e çështjes, pavarësisht transferimit. Opozita kritikoi fort ndryshimet e stafit, duke i konsideruar ato spastrim dhe në kundërshtim me ligjin. Disa juristë shprehën shqetësimin se Ina Rama nuk po i kushtonte rëndësinë e duhur krijimit të sistemit të karrierës dhe promovimit, që mund të rregullonte ndryshimet në të ardhmen. (Ina Rama i tha ambasadorit se krijimi i një sistemi të tillë ishte prioritet për të. Ajo do të eksplorojë sisteme të ndryshme të Shteteve të Bashkuara në të ardhmen). Disa vëzhgues janë veçanërisht të shqetësuar për emërimin e Arian Ndojës në krye të Prokurorisë së Durrësit. A ishte shkarkuar nga ish-prokurori Sollaku, për shkelje gjatë hetimeve të tij, por ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë dhe Gjykata e Lartë e quajti shkarkimin e tij si të paligjshëm. Rama propozoi riemërimin e Ndojës, një ish-shok i klasës së saj, sesa kandidatë të tjerë të propozuar nga Këshilli i Prokurorisë. Një pjesë e kandidatëve të rekomanduar ishteSokol Nishani, vëllai i ministrit aktual të brendshëm, që ndryshe nga pritshmëritë, Rama nuk e emëroi. Një kontakt me reputacion të mirë në rrethin e juristëve tha se ishte normale që Prokurorja e Përgjithshme të bënte ndryshime në rrethin e ekipit menaxherial. Ai shtoi se pritej që presidenti Bamir Topi të mbështeste Ina Ramën në përpjekjet e saj të para, pasi ajo sa kishte marrë detyrën dhe se kishte nevojë për mbështetjen e tij për momentin. Ndryshimet e personelit në zyrën e Prokurores së Përgjithshme erdhën në kohën e pritshmërive të mëdha për Ina Ramën. Shumë prej juristëve pranuan se kjo zyrë ishte e mbingarkuar me staf. Ligji i Prokurorisë së Përgjithshme i jep titullarit të drejta të plota për lëvizje, duke minimizuar argumentet se Rama shkeli dispozitat për të realizuar uljet në detyrë. Vetëm transferimi i njeriut të besuar të Sollakut, Ardian Vishës, në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës, ka lënë shije të keqe si ulje në detyrë. Prokuroria e Përgjihshme, si thuajse të gjitha institucionet e pavarura në Shqipëri, kanë nevojë për të implementuar një sistem karriere dhe promovimi. Për kohën që po flasim, mungojnë provat për transferime me prapavijë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›