E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transmetimet sportive, guri i provës për luftën ndaj monopoleve

Nga Altin B. Kodra

Dikur, atëherë kur televizorët ishin me pakicë, shqiptarët mblidheshin te shtëpitë e njëri-tjetrit, në mënyrë që të mos humbisnin atë spektakël që nuk censurohej dot nga diktatura, dmth, ndeshjet e sportit, kryesisht të futbollit. Ndonëse kanë kaluar disa dhjetëvjecarë nga ajo kohë dhe të paktën 15 vjet që nga rënia e komunizmit, shqiptari i zakonshëm e gjen veten prapë në të njëjtat pozita, natyrisht me një peisazh të ndryshëm dhe rrethana të tjera. Tashmë, pika e përbashkët është gjithnjë e më pak shtëpia dhe gjithnjë e më shumë lokali, aty ku një biznesmen i zgjuar, ka blerë një televizor me ekran të madh dhe i përdor ndeshjet e transmetuara nga paketat e ndryshme, dixhitale apo satelitore, si "karrem" për të thithur sa më shumë klientë. Kur themi këtë, jemi të ndërgjegjshëm se jetojmë në vitin 2006 dhe, sikundër ndodh edhe nëpër botë, edhe në Shqipëri do të vinte edhe epoka e asaj që përgjithësisht quhet "pay-per-view", domethënë, "paguaje që ta shikosh". Po kështu, jemi të ndërgjegjshëm se një pjesë e shumave të parave që paguajnë platformat e ndryshme "pay-per-view" anembanë botës, shkon në arkat e klubeve, ndeshjet e të cilave transmetohen në këto platforma, dhe si rrjedhojë, këto para shkojnë për blerjen e lojtarëve të rinj, për përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe stadiumeve (të cilat, rrisin kësisoj të ardhurat nga biletat), apo për zhvillimin e mëtejshëm të ekipeve zinxhir, prej nga dalin edhe talentet e reja e kështu me radhë. Sic vërehet, ky është një rreth vicioz, i cili u mundëson klubeve të ecin edhe më përpara. Po kështu, është e kuptueshme që, edhe platformat dixhitale apo satelitore, janë subjekte biznesi, që në themel të tyre kanë fitimin dhe kurrsesi nuk mund të cilësohen si institucione bamirësie. Por, anembanë botës, ato u binden ligjeve dhe legjislacionit përkatës në fuqi, si dhe u qëndrojnë korrekte, sipas kushteve të parashtruara në kontratë, detyrimeve që kanë ndaj klientëve të tyre. E gjithë kjo është në kundërshtim të plotë me atë që ka ndodhur në rastin e platformës dixhitale "Super Sport", e cila po trumbetohet me aq bujë nëpër TV e gazeta. Ajo që ka ndodhur është shumë e thjeshtë. Me anë të një manovre personale të njërit prej drejtuesve të platformave aktuale, "Sat +" dhe DigitAlb", kampionatet kreysore të cilat transmetoheshin nga këto dy subjekte të vecanta, janë bashkuar në një të vetme, e cila, sipas sqarimeve të hollësishme dhe këmbëngulëse që na janë dhënë, u përket "pronarëve të rinj", të cilët "nuk kanë lidhje" me asnjë nga dy platformat e mëparshme. Deri këtu jemi në rregull. Ajo që nuk është në rregull është se, të gjithë ata abonentë që kishin blerë shërbimet e njërës apo tjetrës platformë, tashmë gëzojnë një shërbim të cunguar, pasi ato kanale që transmetonin deri dje kampionatet përkatëse, tani janë të koduara dhe klienti udhëzohet që të blejë një kartë të dytë, pra të paguajë prapë, për atë që ka paguar një herë (?!) Natyrshëm që klienti i gjorë është i pafuqishëm në këtë mes dhe detyrohet të shijojë atë shërbim të cunguar dhe të shpresojë se shteti do të bëjë dicka, për të vendosur të drejtën në vend. Por, kur dëgjon se aksioner në atë platformë të re dixhitale, që tashmë ka monopolizuar në mënyrën më të paligjshme, transmetimet sportive, është një ish-anëtar i KOP-it të famshëm të Partisë Demokratike, tashmë në pushtet, si dhe një tjetër personazh i botës mediatike në Shqipëri, i cili rreh gjoksin për marrëdhënien e ngushtë që ka me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, klienti i gjorë stepet dhe është i prirur ta kapërdijë edhe këtë padrejtësi të radhës, që, për më tepër, duket se ka edhe bekimin e qeverisë aktuale. Por, a është me të vërtetë kështu? Këtë përgjigje duhet ta japë vetë shteti, i cili duhet të shprehet në këtë drejtim, pasi heshtja, në shumicën e rasteve, tregon se je bashkëautor në krim. Një nga pikat më të forta ku është mbështetur platforma e pozitës aktuale është lufta ndaj korrupsionit dhe clirimit të monopoleve në ekonomi. Nëse mund të cilësohet sukses bindja e dy kompanive të shërbimeve celulare që të ulin cmimet e shërbimeve të tyre, atëherë mund të themi se "SuperSport" është një tjetër gur prove për qeverinë dhe Kryeministrin Berisha. Në pritje të një reagimi, më duhet të nxitoj tashmë, tek lokali më i afërt, sepse dëshiroj të mos humbas një ndeshje të Premier Ligës angleze…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›