Transportonte drogë në vend të çimentos, ndalohet gjirokastriti
Fshihte marijuanë në autobotin e çimentos, prangoset nga policia e Gjirokastrës në afërsi të Memaliajit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Boti” të finalizuar rreth orës 07.00 të së mërkurës, specialistët e antidrogës kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti që transportonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Gjirokastra në drejtim të Vlorës. Ndalimi i automjetit është bërë në aksin rrugor Gjirokastër-Memaliaj, kur automjeti tip “Volvo” me targa GJ 5924 A dhe Gj 03 99 B, është konstatuar duke lëvizur nga Gjirokastra në drejtim të Vlorës. Mjeti është mbajtur nën vëzhgimin e agjentëve dhe specialistëve të antidrogës dhe në afërsi të qytetit Memaliaj është bërë bllokimi i automjetit dhe drejtuesit të tij.
Nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet rezultoi se në pjesën e sipërme të kokës së botit, nga ana e jashtme, ishte fshehur një çantë e zezë ku brenda saj kishte 4 pako me marijuanë. Policia ka bërë sekuestrimin e lëndës narkotike, që rezultoi të ishte me peshë 5 kg, si dhe automjetin tip Bot në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që është bërë edhe arrestimi në flagrancë i drejtuesit Maksim Shahu, 40 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Manalat” të qytetit Gjirokastër. Shoferi deklaroi se udhëtonte nga Gjirokastra për në Vlorë për të ngarkuar çimento për llogari të një firme betoni në Lazarat dhe nuk kishte dijeni për praninë e drogës në automjetin që drejtonte. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.a
#