Gjirokastër, grabitet në mes të ditës postierja
Grabitet në mes të ditës një grua postiere, i marrin 1.4 milionë lekë të pensioneve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të së mërkurës, në lagjen “Varrosh” të Gjirokastrës. Sipas burimeve të policisë lokale viktima e grabitjes, L.K. ka njoftuar me telefon uniformat blu pak sekonda pas grabitjes nga dy persona ende të paidentifikuar. Mësohet se keqbërësit kanë mundur t’i rrëmbejnë 49-vjeçares njërën prej dy çantave që ajo kishte me vete, ku ndodheshin 1.4 milionë lekë. Ndërkohë që çantën tjetër, në të cilën kishte 100 mijë lekë, grabitësit nuk kanë mundur ta rrëmbejnë nga shpejtësia. Lekët janë përhapur në mes të rrugës dhe grabitësit janë larguar me shpejtësi nëpër rrugica, duke u mjaftuar vetëm me njërën nga çantat që gruaja kishte me vete në momentin e grabitjes. Në vendngjarje ka mbërritur me shpejtësi një patrullë e gatshme e policisë dhe krerët e drejtorisë së policisë së qarkut.
Mësohet se lekët e grabitura janë pagesat e pensioneve që shërbimi postar ka marrë përsipër të shpërndajë shtëpi më shtëpi për të gjithë ata pensionistë që nuk kanë mundësi shëndetësore dhe fizike të shkojnë t’i tërheqin në pikat e shpërndarjes. Forca të shumta policie kanë bërë rrethimin e zonës, si dhe janë ngritur menjëherë postblloqe të shumta policie në akset rrugore që lidhin Gjirokastrën me Tepelenën, Përmetin dhe Sarandën. Sipas policisë, punonjësja e postës në momentin e grabitjes ishte duke u kthyer për të pushuar në banesën e saj në lagjen “Varrosh”, kur dy persona të pamaskuar që lëviznin më këmbë i janë afruar dhe pasi e kanë goditur i kanë rrëmbyer çantën ku ajo kishte edhe paratë e pensioneve. Sipas burimeve të informacionit nga policia, punonjësja e postës ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke marrë me vete një shumë të tillë në banesën e saj. “Postierja ka vepruar në kundërshtim me të gjitha rregullat, duke shkuar në banesën e saj në momentin që ka pasur me vete një shumë të tillë të hollash. Ajo duhet të kishte qenë e shoqëruar, për të qenë më e sigurt”, kanë thënë për “Shqip” burimet policore. Ndërkohë, të afërm të gruas së grabitur thanë për gazetën se ajo i ka shpërndarë pensionet për një kohë të gjatë e pashoqëruar nga askush dhe se në momentin e grabitjes nuk ishte e drejtuar për në banesën e saj, por për të çuar disa zarfe në disa adresa në zonën historike të qytetit. Nga veprimet e para hetimore dhe marrjes së dëshmisë së punonjëses së postës është bërë skicimi dhe identifikimi i autorëve të mundshëm dhe po punohet për kapjen e tyre. Ndërkaq, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se punonjësja L.K. rreth orës 12.00, ka tërhequr nga filiali i Postës Shqiptare në Gjirokastër shumën e 2.4 milionë lekëve për t’ua shpërndarë në banesa pensionistëve dhe ka lëvizur e vetme në këmbë në kundërshtim me rregullat që duhet të respektonte. I njëjti burim ka shtuar se po punohet për kapjen e autorëve të grabitjes dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
#