Kanabis në fshatra, dy kryepleq në pranga
Sërish në pranga përfaqësues të pushtetit vendor të Shkodrës për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit. Dy kryepleq të dy fshatrave në Komunën Pult, të zonës së Dukagjinit janë arrestuar nga policia e Shkodrës paraditen e djeshme, pasi nuk kanë bashkëpunuar me organet kompetente për të denoncuar rastet e kultivimit të bimëve narkotike në zonat që ata kanë nën juridiksion. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se të ndaluarit janë: Gjon Bunga 48 vjeç, i cili mban detyrën e kryeplakut të fshatit Plan dhe Gjon Nika, kryeplak i fshatit Ngulle. I njëjti burim sqaron se ndalimi i dy shtetasve të sipërpërmendur është bërë për faktin se ata nuk kanë informuar policinë se në zonën ku ato ushtrojnë detyrën e kryeplakut është kultivuar një sasi e konsiderueshme rrënjësh bime narkotike. Sipas policisë, pak kohë më parë, në këto zona policia kishte gjetur dhe asgjësuar qindra rrënjë kanabis sativa, të cilat ishin kultivuar në zona të shpyllëzuara pa pronar të ligjshëm. Brenda një muaji në Shkodër janë vënë në pranga katër kryepleq, mes të cilëve ai i fshatit Qerret, Prengë Vukaj, i cili u arrestua pak ditë më parë pasi në fshatin e tij u gjetën 340 rrënjë kanabis sativa. Mëhill Demaj, 53 vjeç, banues në fshatin Bruçaj, Komuna Pult, kryeplaku i këtij fshati, u prangos pasi në fshatin e tij u gjetën dhe asgjësuan 1500 rrënjë kanabis sativa. Ndërkaq, dy arrestimet e fundit të dy krerëve të fshatrave të Komunës Pult, Nikës dhe Bungës, e çon në katër numrin e kryepleqve të arrestuar për moskallëzim të zonave që kanë kultivuar kanabis. Ndërkohë, kujtojmë se po gjatë këtij muaji, janë prangosur edhe dy inspektorë të policisë pyjore, në zonën e Komunës Pult, nën akuzën e moskallëzimit të krimit, pasi në territorin e tyre policia ka gjetur bimë narkotike.
#