Aksidentet automobilistike, 3 vdesin dhe tre plagosen
Tre aksidente të rënda rrugore ku kanë mbetur të vdekur tre persona dhe u plagosën tre të tjerë ndodhën dje në Shkodër, Kukës dhe Durrës. Aksidenti i parë i rëndë është regjistruar pak pas mesnate në Shkodër në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth 5 km pa hyrë në plazhin e Velipojës, në vendin e quajtur Kthesa e Sektorit, kur automjeti tip “Alfa Romeo” me targa të huaja, brenda të cilit ndodheshin katër persona ka dalë nga rruga. Për pasojë ka humbur jetën 24-vjeçari nga Tirana Briken Tarolli, ndërsa u plagosën dy vajza dhe një djalë, bashkëmoshatarë të viktimës. Të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Burime policore thanë se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia jashtë normave të lejuara, çfarë ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbasë kontrollin dhe të dalë nga rruga.
Në një tjetër aksident në autostradën Kukës-Morinë ku ka humbur jetën 27-vjeçari nga fshati Gjegjan i Komunës Tërthore, por me banim në Kukës. Ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 23:30 në vendin e quajtur Ura Gjashtëmetroshe. Viktima u identifikua si Alfred Nerguti, drejtues i mjetit “Benz Mercedes 250”, i cili për shkaqe që ende nuk janë zbardhur ka dalë nga rruga duke u përmbysur në fushë. Nërguti ka qenë duke udhëtuar nga Morini drejt Kukësit dhe sipas policisë kishte përcjellë një të afërm pas një darke në qytet. Menjëherë pas aksidentit kalimtarët e rastit kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe e ka dërguar shoferin e plagosur në spitalin e Kukësit, si dhe ka shënuar provat për hetimin e shkaqeve të aksidentit. Spitali rajonal i Kukësit pas ndihmës së parë e ka dërguar menjëherë në Tiranë në Spitalin Ushtarak për t’i shpëtuar jetën, por, për shkak të plagëve të shumta të marra në kokë 27-vjeçari ka humbur jetën pak minuta pasi ka mbërritur në Tiranë. Policia lokale ende nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion definitiv për shkaqet, por mendohet paraprakisht se një nga arsyet e aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit. Duke parë gjurmët e frenave në rrugë, ekspertët thanë se viktimës mund t’i ketë prerë rrugën ndonjë bagëti e fshatrave përreth. Në këtë segment të autostradës mungon edhe sinjalistika e nevojshme dhe ky nuk është aksidenti i parë që ndodh gjatë këtyre dy muajve. Në të paktën katër aksidente të ndodhur në maj dhe qershor janë plagosur 8 persona.
Aksidenti i tretë tragjik është ai që ka ndodhur në Durrës ku ka humbur jetën një 31-vjeçar nga ky qytet. Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të qytetit bregdetar, që lidh Mauzoleumin e Dëshmorëve me Gjykatën, rreth orës 01:00. Viktima identifikohet si Klodjan Jaupi, 31 vjeç, që sapo ishte kthyer për pushime në atdhe së bashku me bashkëshorten dhe fëmijë e mitur. Aksidenti rezultoi fatal, pasi motori me të cilin lëvizte viktima është përplasur me një automjet të tipit Volksvagen Golf 3 me targa të Durrësit DR 2459 B që drejtohej nga 27-vjeçari Ilir Kokaj, lindur në Mamurras dhe banues në lagjen 6.
#