E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre fëmijë të mbytur në 24 orë, zhduket një peshkatar në Shkodër

Tre fëmijë kanë humbur tragjikisht jetën, pasi janë mbytur aksidentalisht. Tragjedia e parë ka ndodhur në një familje në Shijak, ku vëlla e motër vetëm katër dhe gjashtë vjeç, kanë rënë në një gropë me ujë, duke humbur jetën. Fëmijët kanë qenë duke luajtur në një gropë uji pranë banesës së tyre, kur kanë shkarë në gropën e thellë me ujë, pa mundur të shpëtojnë. Ndërkohë që në rrethin e Lezhës, një 12-vjeçar është gjetur pa shenja jete, në një kanal afër banesës së tij. Fëmija, sipas të dhënave të para, ka qenë duke shkuar në një dyqan pranë banesës, kur e ka zënë sëmundja e epilepsisë dhe ka rënë në kanalin me ujë duke humbur jetën. Është gjetur nga banorë të fshatit Tale, të cilët e kanë nxjerrë nga uji, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën. Ndërkohë, një peshkatar në Shkodër është zhdukur, ndërsa kishte dalë për të peshkuar. Me gjithë kërkimet nga policia, ende nuk ka asnjë të re për fatin e tij. Dyshohet se 48-vjeçari mund të jetë mbytur. Dhe mbytjet brenda një kohe mjaft të shkurtër pasojë njëra-tjetrën. Në rrethin e Kukësit, prej pesë ditësh policia po kërkon trupin e një 17-vjeçareje, e cila dyshohet të jetë hedhur në ujërat e lumit Drin të Zi pas zënkës me nënën e saj.

Shijak
Kanë dalë nga banesa për të luajtur pak metra më larg, por janë gjetur më pas pa jetë në një gropë me ujë. Ngjarja tragjike ndodhi në një familje në qytetin e Shijakut, në ditën e djeshme rreth orës 14:00. Viktimat, vëlla e motër, vetëm katër dhe gjashtë vjeç, kanë rënë në gropë, duke mos arritur që të dalin prapë. Ndërkohë që nuk ka pasur njeri t’u vinte në ndihmë fëmijëve gjatë momentit që ka ndodhur ngjarja e rëndë, e cila sipas policisë, ka qenë aksidentale. Familjarët të shqetësuar për humbjen e tyre kanë nisur t’i kërkojnë dy fëmijët, duke i gjetur ata më pas në gripin me ujë të fshehura nga shkurret. Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lezhë
Një 12-vjeçar është gjetur pa jetë brenda në një kanal në fshatin Tale të rrethit të Lezhës. Sipas burimeve zyrtare nga policia, viktima është i mituri Mariglen. Ll. Kanë qenë banorë të zonës ata që kanë parë trupin e fëmijës në kanal. Me gjithë përpjekjet e tyre për ta ndihmuar, ai nuk kishte arritur të mbijetonte. Ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe policia. Sipas burimeve zyrtare, 12-vjeçari ishte dërguar nga familja e tij për të shkuar në dyqan dhe për të blerë disa ushqime. Por, gjatë rrugës, dyshohet se ai është kapur nga një krizë epilepsie, sëmundje ndaj të cilës vuante prej disa kohësh, duke rënë më pas në kanal dhe duke mos arritur të dalë. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet në lidhje me këtë ngjarje.

Shkodër
Kishte dalë si çdo mëngjes për të peshkuar në lumin Buna, me varkën e tij, por nuk arriti që të dilte dot sërish në tokë. Peshkatari 48-vjeçar Enver Zeneli, gjatë gjithë ditës së djeshme është kërkuar nga polumbarët dhe policia e qytetit verior, por nuk ka pasur ndonjë rezultat nga kërkimi. Kanë qenë familjarët e peshkatarit 48-vjeçar, që të shqetësuar për humbjen e tij, kanë shkuar në polici për të denoncuar humbjen e tij. Menjëherë u organizua puna për gjetjen e tij, ku në kërkime u përfshinë edhe pesë polumbarë. Me gjithë kërkimet e bëra, ende nuk është arritur që të gjendet 48-vjeçari. Policia dyshon se ai mund të jetë mbytur.

Kukës
Prej pesë ditësh kërkimesh, policia në rrethin e Kukësit ende nuk ka arritur që të gjejë trupin e një 17-vjeçareje të zhdukur në ujërat e lumit Drin. Adoleshentja, sipas policisë, është hedhur në lumë, pas një konflikti të pasur në familjen e saj. Ngjarja ka ndodhur afër fshatit Malqene. Sipas deklaratave të banorëve të zonës, 17-vjeçarja është parë duke u hedhur nga ura e lumit Drin. Megjithatë, shirat e vazhdueshëm dhe prurjet e mëdha e kanë bërë tepër të vështirë gjetjen e trupit, ndërsa ditën e djeshme ato u ndërprenë për këtë shkak. Policia njofton se do të vazhdojë kërkimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›