Nëna hedh foshnjën në plehra, fati e shpëton
Një foshnjë e porsalindur është gjetur nga një pastruese në një kazan plehrash në qytetin e Pogradecit. Ka qenë ora 07:00 e së mërkurës, kur në një pikë grumbullimi mbeturinash të një rruge dytësore të futur mes disa pallateve në qendër të Pogradecit është gjetur foshnja e seksit femër.
Pastruesja është bërë jo vetëm dëshmitare e gjetjes së foshnjës, por edhe shpëtimtare e saj. Sapo e ka gjetur, gruaja ka nxituar drejt maternitetit, duke i shpëtuar kështu jetën. Për shkak të afërsisë së zonës ku është gjetur foshnja me maternitetin dhe për fatin e mirë të saj që është gjetur në kohë, vajza ka mundur të shpëtojë e gjallë. Irena Lamçe, gruaja pogradecare që punon si pastruese në një lokal bastesh sportive, ka mundur ta gjejë në kohë foshnjën që është hedhur nga e ëma menjëherë pas lindjes. Irena tregon se pasi ka nisur punën, si zakonisht ka dëgjuar disa piskama fëmije që vinin nga brenda kazanit. Ajo thotë se foshnja ka qenë e futur në një qese dhe e mbështjellë me peshqir, ndërsa ka pasur ende placentën në trup. “Isha duke hedhur plehrat kur dëgjova një të qarë fëmije. Kontrollova në kazan dhe e gjeta fëmijën në një qesë të mbyllur dhe ishte mbështjellë me një peshqir portokalli. Merrte frymë, por ishte e nxirë në trup dhe kishte akoma placentën. E rrëmbeva dhe shkova me vrap deri te materniteti. Atje qëndrova derisa e vizituan mjekët dhe i bënë serume.
Vajza ka mundur të shpëtojë dhe kjo më gëzon. Do të kisha dëshirë ta birësoja, por nuk kam mundësi financiare për ta rritur”, thotë gruaja 49-vjeçare, nënë e dy fëmijëve. Mjekët e spitalit thonë se foshnja është sjellë në gjendje të rëndë dhe me temperaturë të ulët trupore, 34 gradë. Ajo i është nënshtruar menjëherë një terapie dhe është mbajtur në inkubator. Pas mjekimeve, vajza e sapolindur është kthyer në normalitet. Gruaja që ka shpëtuar foshnjën, ka parapëlqyer që vajzës së vogël t’i vihet emri i saj, por tashmë vajza ka marrë një emër që i është vendosur nga mjekët pas shtrimit në spital. Ajo do të quhet Jasmina Kazani. Policia që është sinjalizuar për këtë rast, ka nisur hetimet për gjetjen e nënës. Kjo e fundit e ka lënë foshnjën menjëherë pas lindjes dhe mendohet të jetë banore e zonës ku është gjetur vajza.
Hedhja e foshnjave të porsalindura po kthehet gati në fenomen për qytetin e Pogradecit. Kjo është e dyta herë që brenda një kohe të shkurtër në qytetin bregliqenor foshnja të sapolindura braktisen nga nënat në mënyrë çnjerëzore.
#