E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngushëllime nga përfaqësuesit e politikës dhe institucioneve shqiptare

Vdekja e Presidentit polak, Lech Kaczynsky

Solidaritet i plotë dhe ngushëllime për popullin polak. Aksidenti tragjik i Smolenskut, ku humbën jetën Presidenti i Polonisë, Lech Kaczynsky dhe ekipi i bashkëpunëtorëve që e shoqëronin, ka zgjuar reagime të gjithanshme njerëzore edhe nga politika shqiptare. Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, zv.kryeministri Ilir Meta dhe kreu socialist Edi Rama, u kanë përcjellë dje përfaqësuesve politikë dhe shtetërorë të Polonisë ngushëllime për ngjarjen e rëndë që ka tronditur opinionin ndërkombëtar. “Në emër të shtetit shqiptar dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta! Në këto momente të vështira, ne ndajmë me ju dhimbjen e humbjes së pazëvendësueshme”, thuhet në mesazhin e kreut shqiptar të shtetit, Bamir Topi. Në të njëjtën frymë kanë qenë edhe mesazhet e politikanëve të tjerë shqiptarë, të cilët në këto momente i kanë adresuar komunikimet me Kryeministrin Donald Tusk dhe kreun e Parlamentit, Bronislaë Komoroëski. është simbolika dhe sfondi i kësaj ngjarjeje që kanë provokuar ndjeshmëri të mëdha në mbarë Europën. Vizita e Presidentit polak në Rusi lidhej me përvjetorin e masakrës së Katinit të vitit 1940, ku pas një urdhri të Kremlinit, forcat sovjetike të sigurisë ekzekutuan mijëra oficerë të elitës ushtarake polake. Ky moment mbetet edhe sot një njollë në marrëdhëniet ruso-polake dhe riaktualizimi i pyjeve të Somlenskut si vend i tragjedive për elitat polake ka vulosur peshën e rëndë të aksidentit në fjalë. Një spastrim elite pra, që humbet brenda 70 vjetësh në të njëjtin vend. “Sot polakët humbën një pjesë të rëndësishme të elitës së tyre politike dhe shqiptarët luten për shpirtrat e tyre”, shprehet në mesazhin e vet ngushëllues Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, duke i bërë jehonë koincidencës tragjike. Po kështu, kreu socialist, Edi Rama, ka shprehur ngushëllime edhe për familjet e viktimave mes të cilëve bënin pjesë, Guvernatori i Bankës, zv.ministri i Jashtëm, deputetë, historianë dhe gazetarë. Politikisht aksidenti ka provokuar zhvillime të papritura që dëshmojnë si për pasojën e tij brenda vendit, ashtu edhe për sa u përket zhvillimeve ndërkombëtare. Kështu, Polonia është e detyruar të kalojë tashmë në zgjedhje të parakohshme presidenciale për shkak të boshllëkut të krijuar. Me interes është edhe reagimi i vendeve të afërta me Poloninë, apo edhe larg saj, por që ndajnë të njëjtat shqetësime politike. Kështu, agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se Presidenti gjeorgjian e ka shpallur Kaczynskyn “Hero Kombëtar të Gjeorgjisë”, një nderim ky që natyrisht lidhet me ndjeshmëritë e përbashkëta ndaj Kremlinit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›