E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treg i ashpër për kosovarët

Tregu shqiptar vlerësohet i ashpër për biznesin kosovar. Tërheqja e mjaft biznesmenëve kosovarë nga ushtrimi i aktivitetit të tyre për shkak të mosgjetjes së tregut dhe konkurrencës së fortë, ka bërë që biznese të tjera të interesuara për t’u futur në këtë treg, të gjejnë rrugë e mënyra të tjera.

Sezoni turistik ka regjistruar një numër më të pakët pushuesish kosovarë në bregdet, në krahasim me një vit më parë. Bëhet fjalë për pushuesit e qëndrueshëm, pasi ata të fundjavës kanë njohur një rritje të ndjeshme.

“Fundjavat kanë regjistruar afro 400 mijë pushues në plazhin e Durrësit”, ka thënë kryetari i Durrësit, Vangjush Dako, gjatë takimit me bizneset kosovare, të cilat po marrin pjesë në organizimin “Ditët e biznesit kosovar në Durrës”.

Dako është shprehur se qyteti i Durrësit ka mirëpritur dhe do të mirëpresë jo vetëm pushues të shumtë kosovarë që vijnë gjatë sezonit turistik, por edhe biznesin kosovar që në Durrës ushtron aktivitet në disa fusha.

Rritja e mundësive për bashkëpunim në sferat e biznesit, arsimit, sportit dhe kulturës kanë qenë çështje të diskutuara. Nuk ka munguar as interesimi i biznesmenëve kosovarë për lidhjen përmes linjës së hekurudhës, e cila do të lidhë dy vendet duke ulur ndjeshëm kostot dhe distancat, si dhe problemet në lidhje me detyrimet tatimore mes dy vendeve që i përkasin një hapësire kombëtare.

Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka folur në lidhje me mundësitë e mëdha të bashkëpunimit për një shtrirje sa më të gjerë të biznesit kosovar në Shqipëri dhe konkretisht në qytetin e Durrësit.

Më pas, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, kanë firmosur memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në mes dy vendeve.

Nën organizimin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, rreth 40 biznese kosovare po qëndrojnë në Shqipëri, duke i promovuar atje produktet “Made in Kosova”. (Shqip)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›