E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati të gjitha bizneset në Pejë pa arka fiskale

Edhe pse fundi i muajt korrik ka qenë afati i fundit për t'u pajisur me arka fiskale, në Pejë gati asnjë biznes nuk ka arkë fiskale.

Sipas rregullativave të vendosura nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Ministria e Financave, të gjitha bizneset që ofrojnë produkte, apo shërbime ndaj konsumatorëve duhet të pajisen me arka fiskale.

Mirëpo deri më tani në tregun me shumicë asnjë tregtar nuk është pajisur me arkë fiskale, asnjë depo, qoftë me shumicë apo pakicë nuk posedon arkë fiskale. Disa nga shitësit thonë se njëherë nuk do të pajisen, disa të tjerë thonë se nuk kanë shumë punë, dhe shumica nga ta ankohen për çmimet e larta të arkave.

Albert Shabani, tregtar i veshmbathjeve në butikun "Fashion", tha se kur të pajisen të gjitha dyqanet tjera me arkë fiskale, do të pajiset edhe ai. "Asnjëri nga këta këtu afër nuk kanë arka fiskale", thotë Shabani.

Nga ana tjetër Denis Gafurri, menaxher i Kompanisë “Dukagjini”, e cila është distributor për shijen e arkave fiskale në Komunën e Pejës, ka thënë për Kosovapress se bizneset e mëdha tashmë pothuajse të gjitha janë pajisur me arka fiskale, kurse bizneset e vogla dhe të mesme kanë afat deri më datën 30 korrik që ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas Gafurrit, çmimi i arkave fiskale për biznese të mëdha është duke filluar nga 1305 €, që është më e lira dhe ka të ndryshme, kurse për shitës ambulantorë, çmimi i arkave fillon nga 621 €.

Gafurri e arsyeton çmimin e lartë të arkave nga fakti se sistemi i tyre është i punuar në tri gjuhë si dhe posedojnë një bateri, e cila edhe në rast të ndërprerjes së rrymës elektrike nuk e ndalë funksionin e vet edhe për dy orë tjera. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›