E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtia e armëve, rriten eksportet

Aktiviteti i shitblerjes së armëve për vitin 2008 ka vijuar normalisht, edhe pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec, nga shpërthimi i fabrikës së municioneve. Të dhënat e fundit nga administrata doganore, që i përkasin periudhës janar-prill 2008, flasin për një rritje të tregtisë së armëve me rreth 35 milionë lekë, ndërsa në total, i gjithë volumi i tregtisë rezulton në rreth 60 milionë lekë, ose rreth 700 mijë dollarë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në buletinin fiskal të publikuar ditët e fundit, paraqet të dhëna konkrete rreth volumit të tregtisë së armëve dhe municioneve, si në vlerë monetare ashtu dhe në sasi.

Tregtia

Ndonëse në shifra tepër modeste, volumi tregtar i shitblerjeve të armëve të kryer nga ndërmarrja shtetërore MEICO, rezulton me një rritje prej mbi 50 për qind, ose 35 milionë lekë më shumë, në krahasim me katërmujorin e vitit të kaluar. Për këtë periudhë të vitit 2008, niveli i eksportit regjistron shifrën e rreth 25 milionë lekëve, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar, rritja është e konsiderueshme, pasi në atë periudhë nuk është kryer aspak tregti armësh. Nëse u referohemi shifrave për sasi, Shqipëria, me anë të MEICO-s, ka eksportuar 91 tonë armë dhe municione, tepër e lartë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar. Megjithatë, nëse u referohemi viteve të kaluara 2005-2006, eksporti i armëve për 2008-ën duket tepër modest, gati 400 tonë më pak. Për sa u përket importeve, të dhënat nga doganat flasin për një volum prej rreth 35 milionë lekësh, ose 19 tonë armë dhe municione. Nëse e krahasojmë me vitin 2007, kemi 10 milionë lekë më shumë, por afro 22 tonë më pak.

Muaji mars

Për këtë muaj të vitit 2008 kemi një volum të tregtisë së armëve dhe municioneve që shkon në rreth 10 milionë lekë, ose 115 mijë dollarë. Nga kjo shumë, administrata doganore ka vjelë në formë taksash rreth 1.8 milionë lekë. Për këtë muaj janë importuar dhe eksportuar nga ndërmarrja shtetërore MEICO rreth 6 tonë. Shifrat janë tepër të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme, kjo për faktin se, pas tragjedisë në fshatin Gërdec, ku si pasojë e shpërthimit të fabrikës së municioneve vdiqën 26 vetë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, qeveria urdhëroi mbylljen e aktivitetit të MEICO-s që më 17 mars për efekt hetimesh.

Tregtia e Armëve

Importet Eksportet

Lekë Tonë Lekë Tonë

2005 38 92 10 136

2006 25 22 145 867

2007 24 42 0 0

2008 35 19 25 91

4-mujor, në milionë lekë

Statistikat

Armët, milionat e dollarëve në dy vitet e fundit

Të ndarë në kapituj të ndryshëm në buletinin fiskal të doganës, volumi i shkëmbimit tregtar të armëve dhe municioneve identifikohet me "kodin 93". Konkretisht, për sa u takon armëve dhe municioneve (ku përfshihen pjesë dhe aksesorë të tyre), në 2007, eksporti i tyre regjistron nivelin e rreth 3.2 milionë dollarëve (2.800 tonë), nga 4 milionë dollarë të regjistruara në vitin 2006. Lidhur me vitet e mëparshme, 2003-2005, mesatarja në vlerë është rreth 600 mijë dollarë. Tek importet, vlerat janë të ulëta, duke treguar se nga ky aktivitet vendi ynë del me fitime të konsiderueshme. Kështu, për vitin 2007 janë importuar rreth 1.8 milionë dollarë armë dhe municione, 800 mijë dollarë më tepër se viti 2006. Për vitet 2003-2005, mesatarja e importit nuk shkon më shumë se 100 mijë dollarë. Gazeta "Shqip" publikoi e para të dhënat rreth tregtisë së armëve, ku për herë të parë u mësuan konkretisht shumat kolosale që xhironte ky aktivitet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›