E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet, shporta e re fshehu rritjen

Qytetarët shqiptarë po paguajnë çmime më të larta nga ato që raportojnë zyrtarisht agjencitë qeveritare. Manovra me shportën e inflacionit, në fund të vitit të kaluar, kur në treg ishin shfaqur dukshëm sinjalet e para të rritjes së çmimit kanë manipuluar normën e inflacionit duke e zbritur atë më poshtë nga sa do ishte realisht. Banka e Shqipërisë thotë se nëse inflacioni do të ishte matur me shportën e mëparshme norma e tij do të ishte më e madhe se sa kjo që është aktualisht. "Mesatarja e ndryshimit ndërmjet matjeve për periudhën 2004-2007 është rreth 0.5 pikë përqindjeje , gjë që tregon se prezantimi i shportës së re e ka ulur inflacionin e kaluar mesatarisht me 0.5 pikë përqindjeje," thotë Banka e Shqipërisë. Kjo do të thotë se rritja e çmimeve që raportohet aktualisht është 0.5 pikë për qindje më e ulet nga sa ishte me shportën e parë. Vlerat e inflacionit bazë, atij të tregtueshëm dhe të patregtueshëm, të llogaritura mbi shportën e re paraqesin ndryshime sistematike, krahasuar me ato të prezantuara deri në muajin dhjetor 2007, kur në llogaritjen e inflacionit përdorej shporta e ndërtuar në dhjetor të vitit 2001.

Ndryshimi

Në fakt, norma prej 0.5 pikë për qindje është mesatarja. Ndryshimi mes dy shportave varion dhe nuk është i njëtrajtshëm për shkak se jo gjithmonë inflacioni vjen nga një grup i caktuar ushqimesh. Në peirudha të caktuara ndryshimi është edhe më i madh. Për shembull në fundit e vitit të kaluar nëse INSTAT do të kishte përdorur shportën e re të çmimeve për të matur inflacionin atëherë ai nga 3.8 që ishte do të dilte më i vogël se 3 për qind. Me këtë tendencë aktualisht norma e inflacionit do të ishte gati 5.3 për qind, norma rekord në 10 vitet e fundit.

Shporta

Shporta e re, që shërben për matjen e inflacionit ka pësuar ndryshime të rëndësishme krahasuar me atë të mëparshmen. Pesha e ushqimeve, por edhe ajo e energjisë, si dy nga zërat me rritjen më të lartë të çmimeve janë ulur ndjeshëm në shportën e re, që Instituti i Statistikave po e përdor që nga fillimi i këtij viti. Ekspertët e argumentuan këtë me faktin s e struktura e konsumit të familjeve shqiptare ka ndryshuar për shkak të rritjes së mirëqenies. Insitituti i Statistikave ul me plot 8.2 për qindje peshën e energjisë në konsumin e familjeve shqiptare për efekt të llogaritjes së inflacionit. Pesha e grupit "Qera, lëndë djegëse dhe energji" ra në 16.2 për qind nga 24.4 që ishte në shportën e vjetës. Kjo në një kohë kur çmimet e naftës, dhe ato të energjisë elektrike kanë shënuar një rritje të fortë, të paparë ndonjëherë më parë. Ndërsa për ushqimet që përbëjnë dhe zërin kryesor të shpenzimeve, pesha në inflacion u ul nga 42,6 në 39 përqind, gjë që do të thotë se luhatjet që do të pësojnë çmimet e ushqimeve do të reflektohen më pak në normën e inflacionit. Efekti i lidhjes së dy shportave pritet të shuhet një vit pas vendosjes së shportës së re ose në muajin dhjetor të vitit 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›