E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça angazhon Stefanovin

Klubi i basketbollit Trepça nuk e ka ndërmend të ndalet sa i përket përforcimit të ekipit. Pas qendrës Jure Lozançiq, “Xehetarët” të mërkurën e kanë transferuar basketbollistin maqedonas Riste Stefanov. I lindur në vitin 1983, i gjatë 198 cm, fundori sezonin e fundit ka luajtur te klubi bullgar Akademik Sofia.

Në rast se kryhen të gjitha obligimet procedurale të regjistrimit, reprezentuesi maqedonas mund të paraqitet në ndeshjen e radhës, xhiroja XXV ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, e cila zhvillohet në fundjavë.

Ndërkohë, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton se, në bazë të vendimit të Bordit të FBK-së të marrë të mërkurën, deri në javën e 25-të të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll kanë të drejtë paraqitjeje vetëm nga dy lojtarë të huaj, derisa në javën e 26-të e deri në ndeshjen e fundit të play-offit dhe në garat e Kupës së Kosovës kanë të drejtë loje nga tre lojtarë të huaj.

Nga FBK po ashtu njoftojnë se afati i fundit për regjistrim të lojtarëve vendorë apo të huaj është data 15 mars (e hënë), ora 16:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›