Trepça, zhgënjeu ndaj Hajvalisë
Në pjesën e parë, forcat e të dyja ekipeve ishin afërsisht të barabarta. Të dyja ekipet bënin përpjekje për të shënuar, por nuk ia dilnin. Madje, mysafirët ishin më të rrezikshëm. Mirëpo, pak sekonda para përfundimit të kësaj pjesë-loje, Hajvalia e pësoi një goditje të rëndë, ngase gjyqtari e përjashtoi nga loja Drilon Berishën, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdh.
As përparësia numerike e lojtarëve në fushë nuk i ndihmoi ekipit vendas për të shënuar fitore. ‘Xehetarët’ nuk kanë mundur të bëjnë diçka më shumë përveç që njëherë e qëlluan shtyllën e Hajvalisë, e cila gjatë kësaj periudhe të lojës përpiqeshin të mos pësonin, ngase ishin me një lojtar më pak, gjë që edhe e arritën.
Me këtë rezultat ishte i kënaqur trajneri i Hajvalisë, Emin Bajrami, por jo edhe ai i Trepçës, Shefqet Kurti.
“Jam i befasuar për të keq me këtë paraqitje të lojtarëve të mi, të cilët nuk i kryen detyrat e tyre. Mesfusha nuk funksionoi. Nuk jam mësuar ta shoh Trepçën me kësi paraqitje”, u shpreh Kurti.
Të dyja këto skuadra tani janë në kuotën e tetë pikëve, me nga dy fitore, dy barazime dhe me nga dy humbje.