E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri dimensione artistike të Janis Ricos

Autori i Lajmit: Nga Kleo Lati
Tri ditë të Ricos në Tirane. Tri dite aq “pranë” në një “kuvendim” artistik dhe njerëzor me poetin e shquar grek, por edhe botëror, Janis Ricos. Një emër i njohur dhe aq i vlerësuar për botën letrare shqiptare, qysh me botimin e tij të parë në shqip përpara plot gjysmë shekulli me përmbledhjen e famshme poetike “Mëhallët e botës”.
Për tri ditë me radhë, dhe konkretisht ditën e Mërkure (2 Dhjetor) në Shtëpinë e Kulturës të Ushtrisë, ditën e Enjte (3 Dhjetor) në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, si dhe ditën e Premte (5 Dhjetor) në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, u nderua poeti ikumenik i Romiosinit Janis Ricos, si poet lirik dhe erotik (dimensioni i tij i parë artistik), si krijues i arteve pamore (dimensioni i dytë artistik), por edhe si autor i vargjeve mbi të cilat janë krijuar melodi të bukura, shumë prej të cilave të mrekullueshme (dimensioni i tretë artistik). Në të tre këto dimensione artistike figura e Janis Ricos shpaloset në formatet e një personaliteti të shquar artistik, me një profil tepër të veçantë dhe të spikatur. Por, kuptohet, dimensioni si poet lirik dhe erotik është ai që e bën Ricosin një emër të shquar në skenën botërore. Një diamant të ndritshëm në “unazën” e poezisë botërore. Në tërësi manifestimet e shumta tri-ditore të këtij aktiviteti të rëndësishëm, në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së poetit të madh, i ndoqën me interes të veçantë rreth 1.000 vetë, kryesisht studentë, nxënës, pedagogë, njerëz të artit dhe të letrave, dashamirës të artit dhe të kulturës dhe shumë personalitete të shquara të jetës kulturore të kryeqytetit. Aktivitetet e zhvilluara në harkun kohor të tri ditëve në disa nga institucionet më të rëndësishme artistike dhe kulturore të kryeqytetit, kishin karakter të larmishëm, si: referime dhe analiza të studiuesve dhe emrave të njohur të botës letrare dhe artistike shqiptare lidhur me veprën e madhe, të pasur dhe cilësore poetike dhe në artet pamore të Ricosit, paraqitje interesante dëgjimore, recitime poezish nga emra të njohur të skenës shqiptare (Margarita Xhepa dhe Ema Andrea) si dhe nga studentë të Universitetit të Tiranës dhe nga nxënës të shkollës “Arsakio”, analogji teatrore. i bukur ishte edhe konkursi i ekspozitës multimediale të Akademisë së Arteve ndërmjet studenteve të Akademisë së Arteve me vepra të frymëzuara nga krijimtaria poetike dhe pamore e Ricosit…Po si mund të mungonte, në këtë kuadër, një botim i ri poetik nga krijimtaria e pasur e poetit të shquar? Sepse qysh me botimin e tij të parë poetik përpara plot 50 vitesh, poeti grek u bë i njohur dhe shumë i dashur me librin e tij poetik me titull “Mëhallët e botës”. Me poezinë e tij lirike, erotike, shume të bukur dhe njerëzore, poeti “shëtiste” nëpër gjithë mëhallët e botës. Natyrisht, i erdhi radha që të “vizitonte” edhe “mëhallën” fqinje shqiptare, plot gjysmë shekulli më parë, ku poeti i madh “gjeti” një pritje të mrekullueshme, të bukur nga ana njerëzore, por edhe nga ana letrare. Poeti i madh, me fuqinë dhe bukurinë e vargjeve të tij, kishte ngacmuar në mënyrë të veçantë ndjenjat dhe emocionet e lexuesve shqiptarë. Dhe qysh atëherë poeti Ricos ka qenë gjithnjë i “pranishëm” në mjedisin letrar shqiptar, pavarësisht se në cilën “mëhallë” të radhës ka shkuar në udhëtimin e tij te pasosur artistik. Madje, ai është i pranishëm edhe tani, njëzet vite pas vdekjes së tij. “Ditë të Ricos”, të këtij aktiviteti të madh kulturor, e dëshmuan qartë dhe shumë bukur “prezencën” e poetit të shquar në mjedisin shqiptar. Ricos “erdhi” sërish në Tiranë, veç të tjerash, edhe me pasurinë e tij, artin e tij të pavdekshëm: poezinë. Kuptohet, me një libër të ri poetik, kësaj radhe me titull “Shtëpia e vdekur”. një botim dinjitoz i një poeti dinjitoz nga një shtëpi botuese dinjitoze, si TOENA. Veç nuk duhet harruar edhe fakti se kjo përmbledhje poetike vjen në shqip dhe greqisht nga përkthyesi dhe poeti i njohur Niko Kacalidha. Ricoi “erdhi” në mjedisin artistië dhe kulturor shqiptar edhe përmes artit të tij pamor. Është ndoshta poeti unik mes emrave të mëdhenj të poezisë botërore që përshfaqet në artin pamor me piktura nëpër guralecë, në copa druri apo nëpër rrënjë pemësh. Gurin e zakonshëm, që ka qenë vegla e parë e njeriut parahistorik, poeti Ricos e shndërron herë në një cope “letër” ku shkruan një poezi, herë në një “telajo” ku pikturon, ku derdh frymëzimin e tij poetik. Lëndën e ngurtë ai e kthen me një mjeshtëri befasuese në “frymë” që të përfshin, të ngjall emocion, të ndez fantazinë, e cila duket sikur “ndjek” vetë fantazinë dhe përfytyrimet e mrekullueshme të poetit-piktor. Guralecët e Ricos marrin forma të mrekullueshme artistike. Herë ata marrin formën e një perëndeshe, here te një zane të bukur të zhveshur të ujërave, herë të një koke të bukur djaloshi, herë të një kostelacioni yjesh… “Mbyll qepallat nën natën e qetë dhe dëgjoj tek cicërijnë miliarda yje” – shkruan në një nga poezitë e tij Ricos. Por Ricos “erdhi” në kryeqytetin shqiptar edhe përmes Erit, vajzës se tij, e cila, nga ana e vet, “erdhi” përmes një përshëndetjeje të ngrohte dashamirëse dhe mirënjohjeje për “Ditë të Ricos”. Mesazhin përshëndetës të vajzës së poetit Janis Ricos e përcolli tek të pranishmit e shumtë drejtoresha e shtëpisë botuese TOENA, Irena Toçi.

“Epitafios”

…Dhe për tu rikthyer tek veprimtaritë e shumta dhe të larmishme përgjatë “Ditë të Ricos”, përmendim koncertin me veprën “Epitafios” të Mikis Teodorakis, dhënë mbrëmjen e ditës së tretë të veprimtarive në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, në prani të rreth 450 spektatorëve. Një koncert i bukur, i mrekullueshëm, mbresëlënës. Kjo vepër, e paraqitur për herë të parë në një ekzekutim ndërkombëtar, u ekzekutua nga orkestra simfonike, kori dhe solistja. Veprën e dirigjoi maestro Edmond Doko, kori nën drejtimin e Thanas Paskalit, ndërsa soliste ishte sopranoja e re greke Vasia Zaharopoulou. Solistja e talentuar, me zërin e saj rinor dhe performancën mbresëlënëse, interpretoi me një ndjeshmëri të spikatur 6 pjesët e bukura dhe të përzgjedhura të këtij koncerti, i cili në tërësinë e vet kishte 8 pjesë të përzgjedhura muzikore. Mbresëlënës ishte dhe interpretimi dinjitoz i korit, i cili ofroi thellësi dhe bukuri interpretative, ndërsa nga ana e vet orkestra simfonike evidentoi bukur tonet dhe ngjyrimet e veçanta të pjesëve muzikore. Rreth 100 muzikantë shqiptarë dhanë me sukses të plotë dhe me shumë mbresa për spektatorët orkestrimin simfonik të veprës se Ricos. Ishin gjithë këto elemente të bukur të këtij koncerti arsyeja që në fund të tij publiku, i cili e ndoqi me vëmendje dhe interesim atë, i duartrokiti gjatë artistët. Por në gjithë këtë atmosferë krijuese një moment i bukur dhe emocionues ishte ajo që i parapriu këtij koncerti: përshëndetja speciale e muzikantit dhe kompozitorit të njohur grek Mikis Teodorakis, të cilën e paraqiti në publik drejtori i Fondacionit Grek të Kulturës në Shqipëri, Jorgos Jakumis. Kompozitori i shquar grek shprehte, përmes mesazhit të tij të ngrohtë përshëndetës, gëzimin e veçantë për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, por edhe keqardhjen e tij për pamundësinë e ardhjes në Tiranë, për arsye të moshës së tij të madhe. Megjithatë Teodorakis “ishte” në Tiran, në sallën e koncertit jo vetëm përmes përshëndetjes së tij, por, mbi të gjitha, përmes muzikës së tij të mrekullueshme, të krijuar nga frymëzimi prej vargjeve të mrekullueshme të poetit Ricos…Po ashtu mbresëlënës ishte edhe dokumentari lidhur me ngjarjet e vitit 1936 në Greqi, të cilat e frymëzuan poetin Ricos që të shkruante “Epitafios”. Rreth 100 muzikantë shqiptarë dhanë me sukses të plotë dhe me shumë mbresa për spektatorët orkestrimin simfonik të veprës së Ricos. Por sa shumë veprimtari të tjera bënin pjesë në “axhendën” artistike të “Ditë të Ricos”! Vlera të veçanta kishte projekti që u ekzekutua në Akademinë e Arteve të Bukura, nën kujdesin e prof. Vladimir Myrtezai, si dhe konkursi që u organizua ndërmjet studenteve të Akademisë së Arteve për krijime multimediale, konkurs që kulmoi me ndarjen në galerinë FAP të tre çmimeve fituese për krijimet më të mira. Natyrisht, pa u veçuar edhe vepra e Gavril Priftulit. Gjithë këto veprimtari dëshmuan se publiku artdashës i Tiranës mësoi shumë gjëra për vlerën poetike, për talentin shumëplanësh dhe për jehonën shpirtërore që përcjell vepra e Ricos sa tek populli shqiptar, aq edhe në shkallë botërore.

“Ditë të Ricos”

Vlerën e veprimtarive të shumta përgjatë “Ditë të Ricos” ia rritën ndjeshëm pjesëmarrja aktive e emrave të spikatur të kulturës dhe artit: aktoret Margarita Xhepa dhe Ema Andrea, pedagogë të universitetit dhe profesorë si Aristotelis Spiros, Mario Mihailidhis, Vladimir Myrtezai, Naxhi Bakalli, Sokol Cuga. Njerëz të mendimit, botues dhe përkthyes si Llambro Ruci, Irena Toci, muzikantë si maestro Edmond Doko, solistja Vasia Zaharopoulou, violinistja e parë Suela Piciri, Artisti i Popullit Naxhi Bakalli dhe shumë të tjerë. Ana organizative dhe skenografike-regjisoriale ishte nën përgjegjësinë e regjisorit Mikel Kalemi dhe të drejtorit të Fondacionit Grek të Kulturës, z. Jorgos Jakumis. Përgjegjësinë bashkorganizuese e morën përsipër dhe e mbështetën Akademia e Arteve (me protagonist kryesor rektorin e saj z. Petrit Malaj) dhe Teatri i Operas në Tiranë (me mbështetjen dashamirëse të maestros së njohur Zhani Ciko). Programimin dhe promovimin e gjithë këtyre veprimtarive e morën përsipër Fondacioni Grek i Kulturës dhe Ambasada e Greqisë në Tiranë. Të gjitha këto ngjarje artistike të tri ditëve nuk do të ishin realizuar nëse nuk do ishte sponsorizimi i bankave, organizmave dhe kompanive të ndryshme, si ALPHA BANK (drejtori i së cilës, z. Andrea Galatoulas përqafoi me shumë ndjeshmëri këto veprimtari, duke i ndjekur me interes ato), kompania e telefonisë celulare AMC (drejtori i së cilës, z. Oktapodas i përkrahu dhe i mbështeti bujarisht), shtëpia botuese TOENA ( e cila me 2 Dhjetor nxori në qarkullim botimin e ri të Ricos me titull “Shtëpia e vdekur”), INFOSOFT GROUPS (që sponsorizoi çmimet e bukura të konkursit multimediale, bashke me botimet greke “ELIKRANON” të Sarandës), kompania ECO PETROLIUM (drejtori i së cilës z. Karahalios ndihmoi për sigurimin e çmimeve për studentet), Universiteti Neë York i Tiranës (që sponsorizoi botimin e katalogut të veprave nën kujdesin e prof. V. Myrtezai), restorant FAR EAST (që mori përsipër koktejin e dhënë pas koncertit, bashkë me VODAFON). Është fakt se në situata të vështira ekonomike, të tilla veprimtari kulturore nuk do të mund të realizohen me sukses nëse nuk të ekzistojnë drejtues të frymëzuar të bizneseve dhe kompanive, bankave, organizmave, të cilët me dashurinë e tyre konkrete për kulturën ofrojnë mundësinë e paraqitjes së të mirave kulturore që populli dëshiron të shijojë dhe që në praktikë realisht i shijon ato falë këtyre njerëzve të njohur dhe me vlera, disa prej të cilëve i përmendëm më lart.
Jani Risos paraqitet ashtu sikurse realisht ishte
Me siguri qe në të ardhmen do të organizohen veprimtari të tjera për nder të poetit të madh grek, por që tashmë pranohet se Ricos është poet me përmasa botërore. Sepse viti 2009, që në Greqi u shpall si “Viti Ricos”, nuk është “pllaka e varrit”, siç u shpreh në fjalën e tij të bukur dhe mbresëlënëse në ditën e dytë të veprimtarive “Ditë të Ricos” Këshilltari i Zyrës së Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë, z. Christos Apostolopoulos. Dhe kjo sepse veprimtaritë e shumta dhe cilësore që u organizuan sa në Greqi aq edhe në Shqipëri, gjerësia dhe thellësia e analizave, diskutimet e shumta dhe mjaft të frytshme, bënë që ky vit të shënjohet si prologu i një përqasjeje të re, për një “jetë të re” të poetit, në të cilën Jani Risos më në fund paraqitet ashtu sikurse realisht ishte: një njeri që kaloi përmes shumë vështirësive dhe i shndërroi ato në krijimtari, në një ofertë të palodhur fjale dhe arti, një krijues me ndjenjën e dashurisë thellë brenda vetes se tij, sa në dimensionin e konceptit të bashkënjeriut dhe të bashkëqytetarit, aq edhe në dimensionin erotik dhe panerotik, një qytetar i ndërgjegjshëm i Greqisë dhe i botës. Një artist që duket se është e shkruajtur që të mbetet pranë nesh, akoma edhe tani që trupi i tij i zvetënuar nuk është më këtu. Për më tepër, e kishte thënë vetë ai:
“ Besoj tek poezia, tek dashuria, tek vdekja,
pikërisht për këtë besoj tek pavdekësia. Shkruaj një varg,
shkruaj botën. Ekzistoj. Ekziston bota”.

Vërtet, poeti i madh Ricos ekziston, edhe njëzet vjet pas vdekjes se tij. Është ai që shkruan botën, por është edhe bota që shkruan dhe flet për të. “Ditë të Ricos” në Tiranë e dëshmuan qartë dhe bukur këtë. Do të ekzistojë edhe më tej se ky vit, apo viteve të tjera që do të vijnë. Nëse vetëm gjatë 2009 në Tiranë u zhvilluan dy herë veprimtari nderuese për Janis Ricos, një tjetër “takim” me poetin e madh do të bëhet në Tiranë në vitin 2010. Botuesi pasionant Mehmet Gëzhilli paralajmëron se do të ribotojë “Mëhallët e botës” dhe se ky do të jetë një tjetër rast për poetin e madh që të “vijë” edhe një herë tjetër në Shqipëri, në një “stacion” tashmë tepër interesant të udhëtimit të tij poetik nëpër mëhallët e botës…
Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›