E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trichet, nën kritika për politika të gabuara

Kriza

Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë dhe të karakterizuar nga admirimi si teknokrat, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, duket se po e gjen veten përballë kritikave dhe besueshmërinë e tij përballë dyshimeve. Kriza e euros dhe paniku i tregjeve e detyruan 67-vjeçarin Trichet të ndërmarrë nisma të dyshimta që prekin parimet e funksionimit të Bankës Qendrore. Disa thonë se ai ka lëshuar pe përballë presionit të udhëheqësve kombëtarë. Me veprime të tilla, ai ndoshta ka shpëtuar euron, por duket se do ta paguajë me humbjen e reputacionit të tij.

“BQE ka humbur virgjërinë”, thotë Marko Skreb, një ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kroacisë. “Ditët e fundit kanë dëshmuar me të vërtetë se ne po jetojmë në një botë të re”. Gjatë javëve të fundit, ndërsa banka ka marrë një rol qendror në krizën europiane të borxheve, Trichet ka lejuar që banka e tij të blejë bondet sovrane të vendeve të dobëta të Eurozonës; ka pranuar bondet greke si kolateral, duke shkelur rregullin e përcaktuar nga vetë BQE për cilësinë e bondeve të pranueshme, si dhe u ka krijuar mundësinë kritikëve të thonë se ai ka ulur vëmendjen ndaj inflacionit.

Gjatë një interviste të dhënë në zyrën e tij në katin e 35-ë të selisë qendrore në Frankfurt, Trichet bëri të ditur se nuk shqetësohej fare nga kritikat, megjithëse qe i ndërgjegjshëm për to. “Kur ju keni nderin e madh, keni edhe përgjegjësitë e mëdha”, tha ai, “pra keni për detyrë të pranoni se të gjitha vendimet tuaja mund të kritikohen”.

Problemet e vazhdueshme të euros qenë të dukshme edhe gjatë ditëve të fundit, për shkak se tregjet në SHBA, Europë dhe Azi vijuan të pësojnë humbje nga dyshimet nëse kriza e borxheve qe me të vërtetë nën kontroll.

Më 6 maj, Trichet betohej para gazetarëve se BQE nuk do të pranonte kurrë të blinte bondet e vendeve të dobëta të Eurozonës. Më 7 maj tregjet u tronditën. Më 10 maj udhëheqësit e BE-së shpallën planin për huadhënie ndërshtetërore me vlerë maksimale 750 miliardë euro dhe pak orë më vonë, nën presion të madh nga Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, Trichet dhe anëtarët e tjerë të bordit të bankës përgënjeshtruan vetveten dhe pranuan të blejnë bondet.

Tregjet e panë lëvizjen me shumë habi. Në Gjermani, ku tortura historike e hiperinflacionit vijon të ngjallë makthe, vendimi u prit me zemërim. Një anëtar i Parlamentit kërkoi dorëheqjen e Trichet. Presidenti i Bankës Qendrore gjermane, Axel A. Weber, i cili është edhe anëtar bordi i BQE-së, e distancoi veten nga vendimi, duke treguar për herë të parë publikisht mosmarrëveshje mes bordit drejtues. Deklarata e Weber u konsiderua veçanërisht e paedukatë, duke marrë parasysh se ai ka ambicien për ta zëvendësuar Trichet kur mandati i tij të përfundojë në vitin 2011.

Jürgen von Hagen, një profesor në universitetin e Bonit, i cili ka monitoruar Bankën Qendrore Europiane vazhdimisht, tregoi se ndihej i zhgënjyer. “Mendoj se ka qenë një president i mirë, veçanërisht gjatë krizës financiare”, tha ai dhe pastaj shtoi: “Ajo që ne kemi parë gjatë gjashtë javëve të fundit, është me të vërtetë zhgënjyese”.

Megjithatë, Trichet ka mbështetës të fortë, edhe mes gjermanëve me makthin e hiperinflacionit. Joschka Fischer, ish-ministër i Jashtëm, i doli në mbrojtje: “Ne Gjermanët i dashurojmë parimet”, tha ai. “Parimet janë të shkëlqyera, por në çaste krize edhe George Bush e transformoi vetveten në një Lenin për Amerikën dhe gati sa nuk i shtetëzoi të gjitha bankat. Kur shtëpisë i ka rënë zjarri, nuk mund të merresh me parime, por duhet të bësh ç’është e mundur për ta përmbajtur zjarrin”, shtoi ai.
Rezultati mbetet i njëjtë. BQE duket se e ka kapërcyer kufirin dhe tani nuk ka kthim prapa. Objektivi i saj nuk është më vetëm inflacioni, por edhe stabiliteti i përgjithshëm financiar i Eurozonës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›