Zgjidhje që ti rezistojë kohës
Me anë të një deklarate të përbashkët, përfaqësuesja e lartë, Catherine Ashton dhe komisioneri Stefan Fule, deklaruan se “është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale mbi një bazë që t’i rezistojë testit të kohës, ndërkohë që kanë paralajmëruar se “perspektivat e Shqipërisë nuk duhet të ndikohen më tej nga vazhdimi i gjendjes ekzistuese”. Në këtë letër theksohet se “Shqipëria është në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu, një sërë sfidash të brendshme kërkojnë kurajë politike. BE-ja është seriozisht e shqetësuar për bllokimin politik të vazhdueshëm. Ne jemi të shqetësuar për Parlamentin disfunksional dhe për efektet e mundshme sistemike në institucionet e tjera”. Përfaqësuesja e lartë dhe komisioneri i bashkohen thirrjes së grupeve politike të Parlamentit Europian ndaj liderit të qeverisë dhe liderit të opozitës për të marrë përgjegjësi për gjetjen e një rruge përpara që të jetë kombëtare, e qëndrueshme dhe e shpejtë, në linjë me aspiratat e qytetarëve të Shqipërisë, Kushtetutën dhe principin e transparencës.
#