E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfon Roma Lacion e "tradhtojnë" nervat

ROME-Një super Françesko Toti i ka dhënë fitoren 2-0 Romës në derbin ndaj Lacios, duke rindezur shpresat e skuadrës së Montelës për në Champions League.
Në një ndeshje nervash dhe të luajtur nën një ritëm të jashtëzakonshëm, verdhekuqtë kanë marrë fitoren e pestë radhazi ndaj kushërinjve bardhekaltër. Edi Reja pati kërkuar drejtësi nga gjyqtari përpara ndeshjes, por duke parë sjelljen në fushë të skuadrës së tij, kërkesa ishte e pakuptueshme. Gjithçka lidhet me minutat finale, që kanë qenë të tejmbushura me tension. Lacio ka mbetur me 9 vetë, pas dy kartonave të kuq mëse të merituar. Por, rrezikon të humbasë edhe ndonjë lojtar tjetër, si Matuzalem, që ka goditur me takë në fytyrë, me një urrejtje të çuditshme, Françesko Totin e shtrirë. Ndërsa Radu ka goditur në mënyrë absurde Simplision, ndërsa loja ishte e ndaluar. Në minutat shtesë, me të kuqe del edhe Ledezma, ndoshta më i miri në fushë për Lacion. Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi më e mirë për Romën, ndërkohë që Lacio dukej e frikësuar nga humbja. Pizarro ishte i pari që dha sinjalin në portat respektive, duke goditur traversën me një gjuajtje potente nga 30 metra.
Në fundin e pjesës së parë, një aksion i nisur nga Toti, për pak u finalizua në gol nga Huan, i cili u ndalua nga Ledezma. Në pjesën e dytë, Lacio tregon shenja zgjimi me dy krosa të rrezikshëm. Një moment interesant edhe zëvendësimi i Menez, që në momentin e daljes ka hequr fanelën dhe e ka hedhur në pankinë. Rasti më i mirë në minutat e para i takon Flokarit, pas një krosi të Hernanes, por sulmuesi e dërgon jashtë. Në minutën e 70-të, Toti gjuan fuqishëm nga një goditje dënimi dhe topi përfundon në rrjetë. Kapiteni festoi me gishtin e ngritur nga tribuna, ku ndodhej e shoqja Ilari me djalin Kristian. Avantazhi i jep qetësi Romës, por bën efektin e kundërt te Lacio. Radu e Ledezma dalin me të kuqe, por mund të ishte edhe një karton i tretë për Matuzalem. Në minutat e fundit, Biava shtyn Simplision dhe Taljavento jep një penallti, që Toti e shndërron në gol. Derbi përfundon 2-0, me tifozët e Romës që festojnë dhe nisin të shajnë Lotiton e Rejën.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›