Trofetë e të rinjve nga “Early Bird”
Kineastët e rinj shqiptarë vijnë më çmim nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor “EarlyBird”. Studentë të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi kanë mundur të marrin dy çmime në këtë festival, i cili është mbajtur nga data 20 deri në 25 tetor në Sofje, Bullgari. Kjo ka bërë që të rinjtë e kinemasë të sjellin trofeun e katërt në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi. Në edicionin e 5-të të këtij festivali janë paraqitur 12 shkolla të filmit nga Evropa Juglindore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa AFMM u paraqit me pesë produksione të vitit akademik 2008 - 2009. Filmat ashtu si të gjithë filmat e studentëve në Evropë dhe më gjerë janë ekskluzivisht produksione studentore, të krijuara nga vetë studentët në rotacion dhe pa buxhet. Juria ndërkombëtare vlerësoi me çmimin Best Directing (Regjia më e mirë ) filmin “Kohë e lirë” me regji dhe skenar të Kreshnik Serjanit, dhe me çmimin Best Editing (Montazhi më i mirë për Arianit Gjonbalaj), filmin “Për ters at’ çast” me regji të Gentian Koçi dhe skenar të Bora Yllit. Në muajin gusht, në edicionin e sivjetshëm të festivalit Dokufest në Prizren, filmi “Antena” me regji të Gentian Koçit u nderua me çmimin “Best National Film” (Filmi më i mirë kombëtar).
Ndërkohë, filmat e studentëve të AFMM-së vazhdojnë të përfaqësohen në kompeticione të tjera të rëndësishme, si Mediterranian Short Film Festival Rabat (filmi “Antena”) apo Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor në Plock të Polonisë (“Cigarja e Fundit” nga Gledis Bica). Në muajin shkurt të 2009-s, gjatë momenteve të dhunës ndaj AFMM, dhjetë studentë u ftuan dhe morën pjesë në Berlinale 2009. Në gjithë këto prezantime ndërkombëtare, studentët kanë gjetur jo vetëm vlerësimin pozitiv ndaj filmave, por edhe përkrahje të plotë për çështjen “Marubi”, duke e konsideruar këtë të fundit si një betejë të përbashkët për integrimin kulturor të Ballkanit në Evropë.
Kujtojmë se këta filma që sot përfaqësojnë AFMM-në dhe kinematografinë shqiptare në kompeticione ndërkombëtare, janë realizuar gjatë agresionit të vazhdueshëm të administratës kulturore dhe nën heshtjen dashakeqe të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ndaj talenteve të reja.