E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka: Të mos pengohet reforma zgjedhore

Pas takimit, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kërkoi nga klasa politike që të vazhdojnë bashkëpunimin për kryerjen e këtyre reformave.

“Në takim diskutuam për perspektivën e integrimit si dhe për ecurinë e reformave. Në nëntor kishte marrëveshje për reformën zgjedhore. Tani është koha e duhur për përshpejtimin e reformave. Ne jemi të gjithë të angazhuar për reformat. Duhet të përshpejtojmë ritmin e reformave”, tha ambasadori Sequi, i cili shoqërohej nga ai i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth.

Ndërkohë, me anë të një njoftimi, zyra e shtypit e PS-së, bëri me dije takimin, ku thuhet se ambasadorët kanë ngritur shqetësimin shumë serioz të humbjes së afatit të parashikuar për Reformën Zgjedhore, të vonimit të procesit për Reformën Parlamentare dhe të ecurisë aspak inkurajuese të procesit të 21 janarit në dyert e gjykatave.

Kryetari Edi Rama informoi të tre përfaqësuesit e lartë të komunitetit ndërkombëtar për rrugën e ndjekur nga Partia Socialiste drejt miratimit të këtyre dy reformave kyçe dhe nënvizoi se në mënyrë të veçantë zvarritja e Reformës Zgjedhore është tejet shqetësuese për opozitën.

 “Të tre ambasadorët shprehën mirëkuptim të plotë për shqetësimet e ngritura dhe e përshëndetën rolin shumë konstruktiv që po luan Partia Socialiste për realizimin e reformave të identifikuara nga Bashkimi Evropian si prioritete kyçe për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

Sipas PS-së, përfaqësuesit e lartë të komunitetit ndërkombëtar vlerësuan me nota shumë pozitive kontributin e opozitës parlamentare në përmirësimin e miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave të parlamentit. /Start/

                                                                                             2012-02-23 17:16
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›