E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimi i ndjeshjeve, përfaqësuesi i UEFA-s takime në prokurori

Shqetësimet për trukimin e ndeshjeve të futbollit ka sjellë në Shqipëri përfaqësuesin e UEFA-s, Z. Pierre Cornu. Përfaqësuesi i UEFA u takua sot nga Z. Sokol Stojani, Drejtor i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Z. Shkëlqim Hajdari, drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve dhe Z. Pandi Madhi, Sekretar i Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në këtë takim, i cili ishte me kërkesë të përfaqësueve të UEFA-s, u diskutua rreth shqetësimeve dhe dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim. Z. Cornu informoi se UEFA ka vendosur një sistem për deduktimin e të dhënave nga vende të ndryshme mbi rezultatet e ndeshjeve, çka përbën një indicie mbi të cilën mund të hetohet mbi mundësitë e ndeshjeve me rezultat të fiksuar. Ndaj në këtë kuadër, përfaqësuesi i UEFA-s, kërkoi mbështetjen e Prokurorisë Shqiptare si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim.
 

Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë Shqiptare, u theksua se nga ana e institucionit të akuzës do të ketë mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për të luftuar këtë fenomen negativ. Në këtë aspekt, u pa me interes përdorimi i dhënave të deduktimit që përdor UEFA për trukimin e ndeshjeve, të cilat mund të shfrytëzohen për hetim.
 

Njëkohësisht, gjatë takimit u vlerësua edhe që të shihet mundësia për profilizimin e oficerëve të veçantë të policisë gjyqësore nëpërmjet trajnimeve dhe edukimit për parandalimin e ndeshjeve të trukuara.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›