E Shtunë, 31 Tetor 2026

Truri nis të plaket në moshën 45 vjeç

 Truri ynë nis procesin e reduktimit të aftësive njohëse dhe memorizuese rreth moshës 45 vjeç. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në British Medical Journal, i cili hedh poshtë bindjen e deritanishme se procesi degjenerativ i trurit nis në moshën 60 vjeç.

Rezultatet e studimit janë në fakt një apel për të jetuar duke ndjekur një stil jete të shëndetshëm që mbron sa më shumë të jetë e mundur funksionet e trurit.

Studimi është kryer nga mjekë anglezë, francezë dhe amerikanë dhe ka përfshirë 7 mijë persona, të cilët janë vëzhguar për dhjetë vite me radhë, nga viti 1997 deri në 2007-n.

Gjatë kësaj periudhe, ata i janë nënshtruar tri herë testeve të memories dhe kuptimit të fjalëve të dëgjuara dhe të lexuara.

Në meshkujt e moshës 45-49 vjeç u vu re se arsyetimi kishte pësuar një rënie prej 3.6 %, shifër që arrin në 9.6 % pas moshës 65 vjeç.

Ndërkohë, për femrat e kësaj moshe duket se aftësia për të arsyetuar është më e mirë. Në femrat 65-vjeçare, ajo është reduktuar me 7.4%.

Ky studim synon të theksojë rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve si obeziteti, hipertensioni apo niveli i lartë i kolesterolit, të cilat nuk dëmtojnë vetëm zemrën, por edhe trurin, duke u bërë shpesh aleatë të sëmundjeve të rënda mendore.

Përgatiti: Gazmira Ndoja

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›