E Diel, 1 Nëntor 2026

Tunelet e Krastës të mbushura me lëndë radioaktive

ELBASAN- Qyteti i Elbasanit është i rrezikuar nga lëndët radioaktive pasi tunelet e Krastës janë të mbushura me lëndë të rrezikshme. Një fakt të tillë e kanë konstatuar një grup ushtarakësh të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë një inspektimi në repartin 13-10 të Krastës. Në përbërje të këtij grupi inspektues ka qenë edhe gjeneral Maksim Malaj, i cili mban detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare.

Mësohet se kontrolli i tuneleve në të cilat qëndrojnë tonelatat e lëndëve të rrezikshme, është bërë me imtësi të plotë dhe ka zgjatur për plot 5 orë. Kjo, në kuadër të marrjes së një sërë masave të rrepta sigurie për evitimin e ngjarjeve tragjike me pasoja fatale, jo vetëm për jetën e njerëzve.

Gazeta Shqiptare shkruan sot se në brendësi të këtyre tuneleve qëndrojnë të sistemuara qindra mijëra tonelata lëndë radioaktive dhe të llojeve të tjera, të cilësuara si "mjaft të rrezikshme" për jetën e popullatës. Po kështu, në disa tunele të tjera të reparteve ushtarake që kanë mbetur në Qarkun e Elbasanit vazhdon të ruhet në masa jo fort të mira sigurie, municion luftarak i destinuar për t'u demontuar.

Specialistë të kësaj fushe japin alarmin që në rast se vazhdohet të neglizhohet forcimi i masave të sigurisë në këto tunele, qyteti i Elbasanit, por edhe shumë më tepër sesa ai, janë të kërcënuar nga një rrezik potencial i lëndëve radioaktive. "Lëndët radioaktive nuk janë transportuar nga këto tunele në vende të tjera më të sigurta, pasi ka kosto të lartë. Ndërkohë që kërkohen kompani të huaja e të specializuara për transportimin e tyre", - shprehen specialistët.
(e.n/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›