Tunizia me kabinet të ri
Pas trazirave për disa javë me radhë, Tunizia ka një qeveri të re, në të cilën për herë të parë merr pjesë edhe opozita. Tri ditë pas rrëzimit të pushtetmbajtësit, Zine El Abidine Ben Ali, kryeministri Mohammed Ghannouchi, prezantoi kabinetin e ri.
Në qeverinë e re të unitetit kombëtar, Ghannouchi, një aleat i vjetër i Ben Alisë, do të vazhdojë të mbajë postin e kryeministrit. Veç kësaj në detyrë mbeten ministri i Mbrojtjes, ai i Jashtëm dhe ai i Brendshëm.
Për herë të parë në kabinet marrin pjesë edhe politikanë të opozitës, ndër ta edhe themeluesi i forcës më të fuqishme opozitare në Tunizi, Nejib Chebbi, nga Partia Demokratike për Përparim.
Dhuna, që çoi në largimin e Ben Alisë, pas 23 vjetësh në krye të Tunizisë, sipas qeverisë u ka kushtuar jetën të paktën 78 civilëve. Ghannouchi njoftoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në vend.
Veç kësaj qeveria, do të angazhojë tri komisione të reja shtetërore, të cilat do të këshillohen për reforma politike, do të zbulojnë raste korrupsioni dhe do të hetojnë rastet e keqtrajtimeve gjatë trazirave të fundit.
Vendimi i kryeministrit për të mbajtur disa anëtarë nga regjimi i mëparshëm në qeverinë e përkohshme mund të ketë zemëruar shumë tunizianë, që kaluan javë të tëra duke bërë fushatë për reforma themelore politike.