E Diel, 1 Nëntor 2026

Tunxhi i hipotekës, gjykata vendos “detyrim paraqitje”

20/02/2009  Ish-drejtori i akuzuar për falsifikim tek plazhi i “Gjeneralit”

TIRANË - Tunxh Vatnikaj do të paraqitet në Policinë Gjyqësore një herë në dy javë. “Detyrim për paraqitje” është masa e sigurimit personal që vendosi dje gjykata për të pandehurin Tunxh Vatnikaj, ish-drejtori i AKKP-së. Kjo masë u kërkua nga ana e organit të akuzës. Prokurori Armand Gurakuqi prej disa ditësh i ka kërkuar gjykatës caktimin e masë së sigurimit, por vetëm dje kjo mas iu komunikua Tunxh Vatnikaj në prani të avokatit mbrojtës Sokol Çomo. Vet i pandehuri Vatnikaj nuk ka qenë i pranishëm në seancën për komunikimin e masës. Ndërsa avokati mbrojtës i tij, Çomo, është shprehur se Vatnikaj nuk ka kryer asnjë falsifikim dhe nuk ka abuzuar me pronat duke favorizuar persona të tretë. Masa u caktua nga gjyqtari Altin Abdiu. Ish-kreu i AKKP-së akuzohet për kalimin me dokumente të falsifikuara të një prone tek të tjerë pronarë, jo te pronarët e ligjshëm. Bëhet fjalë për 48 ha tokë në Synej të Kavajës, i quajtur plazhi i “Gjeneralit”. Gjatë seancave për komunikimin e masës së sigurimit vartësit e Vatnikajt nuk e kanë pranuar akuzën duke deklaruar se i gjithë faji është i shefit të tyre. Por vet Vatnikaj ka deklaruar menjëherë pas komunikimit të akuzës se nuk ka lidhje me falsifikimin për të cilin bëhet fjalë dhe se nuk ka urdhëruar asnjëherë kalimin e një prone në favor të personave që nuk kanë të drejtë mbi të. Për këtë abuzim në tjetërsimin e pronës, ish-kreu i AKKP-së dhe 10 persona të tjerë do të përballen në gjykatën e Tiranës për akuzat e ngritura. Ndërkohë që me masën “arrest shtëpie” janë duke u hetuar avokati dhe disa punonjës të AKKP-së dhe një ish-zyrtar i hipotekës. Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme, rreth 450 dynymë tokë në zonën e komunës Synej dhe konkretisht te plazhi i “Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të Prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›