Turistë dhe çimento nga Greqia, eksport tjegullash nga Shqipëria
Ditë e fundit, në Durrës kanë qarkulluar shumë turistë të ardhur nga Greqia. Një minikroçerë në formën e një jaht, pan orama ka mbërritur me rreth 100 turistë grekë që kanë vizituar për disa orë qytetin e Durrësit dhe të Krujës. Kroçera është e dyta brenda javës që sapo u mbyll, pasi tre ditë më parë në portin e Durrësit u akostua edhe një tjetër kroçerë, e cila ka vizituar shpesh brigjet shqiptar.
Bëhet fjalë për kroçerën Arion, e cila është më e madhe se pan orama, ndërkohë që ajo kishte ndërmarrë një tur turistik duke shëtitur në disa vende të Mesdheut. Tashmë me hapjen e sezonit turistik, e cila fare mirë mund të quhet edhe stina e kroçerave për portin e Durrësit, janë shtuar ndjeshëm lundrimet e anijeve të huaja me turistë drejt portit të Durrësit. Në të njëjtën kohë që jahti grek ishte akostuar në kalatën nr 5 të portit, ngjitur me të ishte duke u shkarkuar një anije me çimento, e markës Titan. Megjithëse në zonën midis Durrësit dhe Krujës është rritur ndjeshëm numri i fabrikave që prodhojnë çimento, përsëri një sasi e konsiderueshme vjen nëpërmjet importit. Prodhimi i çimentos në vend nga shumë fabrika të huaja po përdoret për tregun vendas, por më shumë për eksport. Një nga fabrikat e para të ngritura në vendin tonë, Seamens, eksporton prej më shumë se një viti në Malin e Zi, Maqedoni, Kosovë dhe tashmë ka filluar edhe eksportin drejt Italisë. Duket se restoja grekëve në lidhje me luftën ekonomike import-eksport, iu është kthyer me të njëjtën monedhë. Anija që shkarkonte çimento dje paradite, gjatë kthimit në Greqi do të ngarkonte një sasi të konsiderueshme tjegullash, të prodhuara nga një linjë moderne e instaluar kohët e fundit në fabrikën shqiptare Edilcentro. Ndonëse Greqia ka qenë deri para pak kohësh vendi kryesor për importin e tullave dhe tjegullave për tregun e ndërtimit në vendin tonë, tashmë duket se tregu grek ka rritur kërkesën për prodhimin shqiptar të tjegullave, i cili ka vetëm pak ditë që ka filluar. Burime nga porti i Durrësit kanë bërë të ditur se para afro dy vitesh ka filluar edhe eksportimi i tullave për ndërtim në Greqi.