E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Ligji s’ka të bëjë me regjistrimin etnik

06/07/2011  Regjistrimi i popullsisë

Deputetët e mazhorancës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve shqyrtuan dje propozimin e Qeverisë për ndryshimet e ligjit nr. 8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”. Ligji ngarkon INSTAT-in për të marrë masa teknike dhe organizative për ruajtjen e informacionit, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e të dhënave, si dhe bërjen e të dhënave anonime, nëpërmjet fshirjes së elementëve identifikues të individëve në dosjet elektronike. Projektligji, i cili do t’i kalojë sërish Kuvendit për miratim në seancën e nesërme plenare, propozon gjithashtu edhe një rregullim në vendosjen e sanksioneve (gjobave) për kundërvajtjet administrative që ndodhin gjatë procesit të censusit.

Prezantimi i Pollos

Prezantimi i projektligjit në Komisionin e Ligjeve u bë nga ministri për Inovacionin dhe Telekomunikacionet, Genc Pollo, i cili shoqërohej dhe nga drejtoresha e INSTAT-it, Inesa Nurja. Në fjalën e tij para deputetëve të komisionit, ministri Pollo theksoi se ky projektligj i shërben vetëm modernizimit të bazës ligjore për zhvillimin e censusit në Shqipëri. “Ky projektligj abrogon anomalitë e gjetura 11 vite më parë, vendos ndëshkime të arsyeshme për cilindo që nuk respekton rregullat e censusit dhe nuk tregon korrektesën e detyrueshme ndaj tij, mbron të dhënat personale siç e lyp ligji kombëtar dhe ligji evropian. Ky projektligj i votuar në Kuvend do të bëjë të mundur që censusi i vjeshtës të jetë cilësor, i besueshëm, i vlefshëm dhe krejt i krahasueshëm me të ngjashmit e tij me censuset e mbajtura në vendet e BE-së. Ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin etnik apo fetar, siç pretendojnë sharlatanë zhurmatorë, që kanë nakatosur punët që u takojnë dhe duan të përhapin ndotje gjithandej”, deklaroi Genc Pollo.

Projektligji

Ndër amendamentet e shqyrtuara në ligj dje nga ligjvënësit, vlen për t’u përmendur shfuqizimi i pikës 3 të nenit 1, të ligjit të vitit 2000. Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të theksohet fakti se të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për hartimin e listave zgjedhore, si dhe për pasurimin e regjistrave të gjendjes civile. Projektligji riformulon gjithashtu konceptin për detyrimin ligjor të individëve për t’u përgjigjur. Pra, të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët në momentin e censusit ndodhen në territorin e Shqipërisë, janë të detyruar të japin në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme informacionin e përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit. Projektligji në nenin 9 të tij, garanton ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të grumbulluara të censusit.

Ndëshkimet

Neni i ndryshuar përcakton: “Mosdhënia e informacionit (a) në formë të plotë dhe/ose (b) të saktë dhe të besueshme, të përcaktuar si i detyrueshëm, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohet me gjobë prej 100 000 lekësh; mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit të përcaktuara në nenin 9% të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohen me një gjobë prej 10 000 deri 50 000 lekë; mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 19, të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohen me gjobë nga 15 000 deri 20 000 lekë të reja.

Kuadri ligjor

Një amendim i ligjit ekzistues zgjidh nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit aktual ligjor, por në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe banesave dhe për të minimizuar efektet negative në praktikë, në vjeshtë mendohet hartimi i një ligji të ri për censusin e popullsisë dhe banesave. Një ligj i ri për censusin do të ndihmonte në përcaktimin e një procedure edhe më transparente për censusin, mekanizma institucionale me kompetenca dhe detyra të ndara qartë, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien midis tyre, me qëllim kryesor zbatimin me efeciencë të dispozitave të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›