E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turneun e fitores Kryeministri Berisha e vijon në Përmet, Tepelenë e Memaliaj

26-04-2011 / Gazeta 55

Në Përmet: Vendi ynë do të shkojë në BE, si një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në Evropë


Kryeministri Berisha vijoi sot paradite takimet për fushatën zgjedhore në Përmet, ku në një tubim me qytetarë  shprehu mbështetjen për kandidaturën e zotit Kujtim Hoxha, si kryetar bashkie i këtij qyteti, përfaqësues i koalicionit ‘Aleanca për qytetarin”. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë, se fitoren e zotit Kujtim Hoxha dhe të të gjithë qytetarëve të tjerë të parë të Këlcyrës dhe të komunave përreth, në datën 8 maj, do ta shndërrojë në një sukses për çdo qytetar dhe çdo familje, të qytetit të Përmetit dhe rrethit të Përmetit në 4 vitet që vijnë. Kryeministri përmendi se gjatë këtyre 4 viteve janë investuar në shkollat, ujësjellësat, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi rreth 10 milion dollarë, duke u zotuar se në 4 vitet që vijnë kjo shifër do të arrijë në 50 milion dollarë. Me premtimin për një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore për Përmetin dhe zonat përreth, kryeministri  garantoi se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, dhe të fshatrave përreth, si dhe do të përfundojnë  rrugët Përmet- Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet – Tre urat. Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Përmetit, kryeministri u shpreh: “Së pari ju përshëndes përzemërsisht, ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen që i keni dhënë kësaj mazhorancë në përpjekjen tonë të përbashkët për transformimin e Përmetit dhe të Shqipërisë, në një Përmet të zhvilluar, në një Shqipëri të zhvilluar. Jam sot këtu para jush për tu zotuar para jush se fitoren e zotit Kujtim Hoxha dhe të të gjithë qytetarëve të tjerë të parë të Këlcyrës dhe të komunave në datën 8 maj së bashku me ju do ta shndërrojmë në një sukses për secilin prej jush , të  çdo familje, të qytetit të Përmetit dhe rrethit të Përmetit në 4 vite që vijnë. Në shkollat, ujësjellësat, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi ne kemi investuar në 4 vitet që kaluan rreth 10 milion dollarë. Jam këtu për tu zotuar para jush se në 4 vitet që do të vijnë do të investojmë 50 milion dollarë. Në 4 vitet që vijnë në do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë të fshatrave, do të përfundojmë rrugët Përmet- Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet – Tre urat. Në 4 vitet që vijnë do të investojmë në ujësjellës, për të bërë që çdo banor i Përmetit dhe i fshatrave të tij të ketë ujë 24 orë. Në 4 vitet që vijnë do të rindërtojmë të gjitha shkollat që nuk janë rindërtuar deri tani në parametrat më moderne. Gjithçka që ne bëjmë është shumë herë më e vogël se ajo  që ju bëni çdo ditë për veten tuaj, për Përmetin dhe Shqipërinë, por me këtë që bëjmë ne synojmë që tu japim ju mundësinë që të përmirësoni çdo ditë e më shumë jetën tuaj, tu japim ju mundësinë që çdo ditë  e më shumë të mbrothësoni  familjet tuaja, tu japim ju mundësinë që të shndërroni vlerat, pasuritë  e pafundme të Përmetit dhe Shqipërisë. Ndaj dhe alternative jonë është alternative   që në epiqendër ju ka ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Përmetit , ka interesat tuaj, ka fëmijët tuaj, ka familjet tuaja, ka mundin dhe djersen tuja, ka përkushtimin dhe vizionin tuaj për Përmetin dhe Shqipërinë. Ne do të bëjmë çdo gjë që Përmeti, të ketë infrastrukturë evropiane, pasi Evropën në Përmet, nga Këlcyra, në Piskovë, Ballaban do ta ndërtojmë bashkërisht. Ne mblidhemi sot në këtë shesh pasi kemi dalë 20 vjet më parë nga diktatura më e  egër, pasi  20 vjet në rrugën e lirisë kemi provuar mundime, sakrifica, dhimbje, por kemi shënuar suksese më të mëdha të jetës sonë dhe kjo është e vërtetët. Ne njerëzit më të izoluar të planetit lëvizim të lirë pa viza në të gjithë Evropën. Ne vendi më i shtypur në botë sot jemi anëtarë të NATO-s. ne vendi me ekonominë më të falimentuar në Evropë, për tre vite me radhë kryesojmë rritjen ekonomike në Evropë. Ne vendi i pensioneve dhe rrogave simbolike gjatë viteve të fundit ia dolëm të dyfishojmë të gjitha pensionet  e ulëta në mbarë Shqipërinë, si dhe të dyfishojmë të gjitha rrogat  e ulëta dhe të mesme. Si asnjë vend tjetër në një hark kohor të shkurtër ne ulëm varfërinë nga 18 % në 12 %  dhe ulje të tjera të mëdha do të njohë. Sot vërtet ka varfëri, por ka dhe ulje të mëdha të saj, sot vërtetë ka papunësi, por nuk ka rritje të papunësisë,si në shumë vende të tjera. Siç konfirmon edhe Komisioni Evropian, Shqipëria në kulmin  e krizës ekonomike pati ulje të papunësisë. Në tërë filozofinë tonë ne përpiqemi që pasuritë  e Përmetit ti shndërrojmë në vlera të çmuara për ju. Përmeti ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Asnjë piktor i asnjë kohe, nuk mund të pikturonte një tablo kaq të bukur si kjo që e ka bërë zoti Përmetin. Por nuk janë vetëm pamjet, por Përmeti ka ujërat termale më të mirat në Ballkan, në mos në Evropë. Përmeti ka prodhimet dhe traditën  e këtyre prodhimeve, absolutist më të shijshmet që mund të prodhohen mbi tokë. Përmeti ka Vjosën, këtë mbretëreshë të lumenjve të Shqipërisë, e cila përbën një pasuri të madhe, jo vetëm për ju, por për mbarë kombin shqiptar. Përmeti ka traditën e dijeve dhe të shqiptarësisë. Përmetarët themeluan rilindjen, themeluan kombin modern shqiptar. Toka juaj është një tokë më pjelloret, prodhimet  e saj janë ndër më të shkëlqyerat. Përpunimi që ju i bëni atyre është bërë i famshëm kudo, ndaj dhe unë vij këtu me lutjen para jush që të vendosim së bashku që të rrisim dhjetëra e dhjetëra herë pemët arrore, arrave, lajthive, bajameve dhe të gjithë arrorëve që rriten në këtë rreth. Deri tani të marra së bashku kemi 5 ha. Unë jam i bindur se së bashku shumë shpejt do të shkojmë në 500 ha. Unë ju jap juve fjalën  e nderit, se çdo rrënjë  e tyre, çdo fidan i tyre do të subvencionohet nga qeveria shqiptare. Ju jeni të mençur, jeni burra dhe gra të mençur, mos harroni se tregu për disa prodhime ka vështirësi në Evropë, ndërsa tregu i arrorëve në Evropë do të jetë i përjetshëm dhe Shqipëria do të jetë një nga vendet më të rëndësishme në prodhimin  e tyre. Ndaj dhe mos ngurroni të mbillmi sa më shumë. Ne po ecim drejt Evropës, ne do të shkojmë në BE, si një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në Evropë. Nevojat  e këtij kontinenti, nevojat  e BE janë të jashtëzakonshme dhe prodhimet tona do të jenë më të preferuarat. Kjo është alternativa e kësaj qeverie, alternative që i beson mendjes, djersës dhe punës suaj, alternativë që beson se, në djersën, në mundin, në përkushtimin, në punën tuaj qëndron fuqia e shqiptarëve për të ndërtuar Evropën në Përmet dhe në mbarë Shqipërinë. Alternativa tjetër është alternativa e rrugës së vetme. Asnjë koment nuk kam, vetëm se ta lemë zotin Rama në rrugën e tij të vetmisë dhe të mos merremi me të. E nisi me tabelën para se “fajin e ka Saliu”, por problemi ishte se kalonte nga qyteti në qytet, nga sheshi në sheh me Saliun para, por pastaj e hoqi, e hoqi sepse e di që vetë është mbrapa, e di që nuk ka shanse. Ndaj dhe në 8 maj të votojmë të gjithë së bashku, të votojmë për zotin Kujtim Hoxha, të votojmë për të gjithë kryetarët  e komunave të "Aleancës për qytetarin". Ju jap fjalën e nderit  se çdo projekt të tyre do ta realizojmë, do ta shndërrojmë në një projekt të dobishëm për ju, se për ne, ju jeni të parët, familjet tuaja janë të parët, komuniteti juaj është i pari, Përmeti është i pari, Shqipëria është e para.


Berisha: Tepelena turistike, Tepelena qendër e fuqishme e zhvillimit të këtij rrethi


Kryeministri Berisha përshëndeti sot në mesditë takimin elektoral me qytetarë të Tepelenës, ku shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, z.Sevo Mici. Kryeministri siguroi se në katër vitet që vijnë investimet në këtë rreth do të katërfishohen dhe se qeveria do të investojë e punojë për ndërtimin e Tepelenës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar. Në katër vitet që shkuan, tha Kryeministri, në rrugë kombëtare e rurale, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla e qendra shëndetësore, janë investuar mbi 30 milionë dollarë në këtë rreth, ndërkohë që në katër vitet e ardhshme do të asfaltohet çdo rrugë, do ndërtohet çdo ujësjellës, çdo kanalizim, çdo shkollë, kopsht, çdo qendër shëndetësore. Duke iu referuar pasurive të mëdha të kësaj zone, Kryeministri u shpreh se qeveria, së bashku me drejtuesit vendorë do të bëjë gjithçka që të shfrytëzohen më së miri pasuritë e Vjosës dhe ujërave të tjera të këtij rrethi, pasuritë e mëdha të pllajave, kullotave e maleve të këtij rrethi. Gjithashtu, Kryeministri siguroi se ndërtimi i autostradës së re në këtë rreth, nuk e shmang aspak Tepelenën, përkundrazi. “Unë jam këtu për t’ju njoftuar se nuk do të shmanget qyteti nga ndërtimi i autostradës së re. Përkundrazi. Ne do të ndërtojmë këtu një nga veprat më unike në tërë punët publike të Shqipërisë, në mënyrë që ju të mos shmangeni, por të jeni një nyje kryesore e transportit të vendit”. Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, ju falënderoj nga zemra për këtë pritje miqësore, ju falënderoj edhe për mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni qeverisë shqiptare në përpjekjen e përbashkët për ndërtimin këtu në Tepelenë, në mbarë Shqipërinë, të Shqipërisë evropiane, të Tepelenës evropiane. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush dhe për t’u dhënë fjalën e nderit se suksesin e zotit Sevo Miçi, suksesin e kryetarëve të komunave e bashkisë së Memaliajit, në datën 8 maj, së  bashku me ta, gjatë 4 viteve që vijnë do ta shndërrojmë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për çdo familje të Tepelenës, për çdo qytetar të këtij rrethi. Në katër vitet që shkuan, në rrethin tuaj, në rrugë kombëtare e rurale, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla e qendra shëndetësore, janë investuar mbi 30 milionë dollarë. Jam sot këtu për t’u zot para jush se në 4 vitet që vijnë këto investime do të katërfishohen dhe se në qytetin tuaj, në Tepelenë e Memaliaj, në komunat  e fshatrat  e tyre, do të asfaltojmë çdo rrugë, do ndërtojmë çdo ujësjellës, çdo kanalizim, do rindërtojmë çdo shkollë, kopsht, çdo qendër shëndetësore. Zotimi ynë solemn është; aty ku jetoni të keni infrastrukturë moderne, njëlloj si infrastruktura e qyteteve moderne, e qyteteve evropiane. Këto vite, për secilin prej jush për të gjithë shqiptarët, vitet në rrugën e lirisë, kanë qenë vite plot dinjitet, nder, përkushtim, por edhe me lumenj djerse, mundi dhimbjeje  e sakrificash. Këto vite, me punën tuaj, me përkushtimin tuaj, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se çdo herë tjetër në një hark të tillë kohor. Nga vendi më i izoluar i planetit, sot në këtë shesh mblidhemi si vendi anëtar i NATO-s dhe kjo përbën arritjen më të madhe në fushën e sigurisë, që nga koha e Skënderbeut deri më sot. Sot ne mblidhemi në këtë shesh, nga qytetarë që më parë ishim të rrethuar me tela me gjemba, sot ne lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Evropën. Sot ne mblidhemi në këtë shesh, nga vendi  që 8 vite më parë kishte gjithsej 2400 km rrugë të asfaltuar, ndërkohë që vetëm në këto vite kemi asfaltuar 8 mijë të tilla. Së bashku, me mund, djersë, e sakrifica po ndërtojmë në Tepelenë, në Shqipëri, infrastrukturën rrugore më moderne në rajon e  në Evropë. Me mundin, djersën, përkushtimin tuaj, me reformat e kësaj qeveria, ne ia dolëm që në një hark kohor 4-5 vjeçar dhe në kulmin e krizës ekonomike financiare botërore, të dyfishojmë të gjitha pensionet e ulëta në Shqipëri, të dyfishojmë  ndihmën ekonomike, të mbi dyfishojmë rrogat e ulëta, rrogat e mesme. Kurrë ndonjëherë në historinë e vendit nuk ka qenë më e suksesshme lufta kundër varfërisë dhe papunësisë. Dy javë më parë, Komisioni Evropian do të deklaronte se Shqipëria qëndron në krye të rritjes ekonomike në Evropë, se ekonomia e Shqipërisë është ekonomi në vrapim. Dhe kjo është për shkak të lumenjve të djersës, mundit, përkushtimit tuaj. Komisioni do të deklaronte se, edhe në kulmin e krizës ekonomike botërore, në Shqipëri, jo vetëm nuk u rrit papunësia, por ajo u ul  në mënyrë të ndjeshme. Sot sërish në Shqipëri ka papunësi, ka varfëri, sërish ka qytetarë që marrin bukë me lista. Por unë i garantoj ata se  derisa të krijojmë të gjitha vendet e punës, kjo qeveri do të bëjë gjithçka për ta, se derisa qytetari i fundit të mos ketë nevojë të marrë ushqimet me listë, ne do të rrisim ndihmën ekonomike, do të rrisim pensionet, do të rrisim rrogat. Kudo që hedh sytë, në të katër anët e këtij vendi, syri të kap pasuri të mëdha, bukuri të mëdha, pasuri turistike, pasuri malore, ujore, pyjore. Shqipëria është një vend i bekuar. Mungesa e infrastrukturës e ka lënë Shqipërinë të prapambeturën e madhe, ndaj dhe në 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë në Shqipëri infrastrukturën më modern. Tepelena turistike, Tepelena prodhuese, Tepelena qendër e fuqishme e zhvillimit të këtij rrethi, do të jetë motoja jonë në katër vitet  që vijnë. Do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzojmë pasuritë e Vjosës dhe ujërave të tjera të rrethit tuaj, pasuritë e mëdha të pllajave, kullotave e maleve tuaja. Kam një thirrje vëllazërore për të gjithë fermerët e Tepelenës, që të mbjelli sa më shumë ullinj, arra. Kryevepra jonë më e madhe do të jetë: të shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të madh frutor. Këtë vit kanë aplikuar 300 fermerë, ju bëj thirrje që vitin tjetër të aplikojnë 600, tjetrin 1200. Qeveria do të financojë çdo fidan ulliri, arre, lajthie, bajame, shege dhe çdo gjë që do të mbillni ju për pasurimin tuaj për përmirësimin e jetës suaj. Unë jam këtu gjithashtu për t’ju njoftuar se nuk do të shmanget qyteti nga ndërtimi i autostradës së re, përkundrazi. Ne do të ndërtojmë këtu një nga veprat më unike në tërë punët publike të Shqipërisë, në mënyrë që ju të mos shmangeni, por të jeni një nyje kryesore e transportit të vendit. Këto vite, në sajë të punës sonë të përbashkët, ne kemi arritur gjëra që 5 vjet më parë as që nuk i mendonim. Kam ardhur këtu në vitin 2005, kam qenë në Sarandë, Gjirokastër dhe kam deklaruar se në 5 vjet do të trefishojmë turizmin, por vitin e kaluar turizmi u 11-fishua. Këtë vit, Tepelena dhe Shqipëria është e bukura e Dheut. Vitin e kaluar, gjatë muajve të turizmit, u bëmë rreth 7 milionë shqiptarë e turistë së bashku, çka do të thotë njohje shumë herë më e madhe për ne, për shpirtin tonë, për mikpritjen tonë, për prodhimet tona, çka do të thotë treg dy herë më i fuqishëm për çdo fermer shqiptarë, për çdo prodhues  shqiptarë. Duke përfunduar, ju bëj thirrje që në 8 maj të votoni Aleancën për Qytetarin, votoni Sevo Miçin, kandidatin tonë për kryetar bashkie. Unë ju jap fjalën e nderit se katër vitet që vijnë investimet do të katërfishohen, se në 4 vitet që vijnë, së bashku me zotin Sevo dhe komunarët tuaj, do të ndërtojmë Tepelenën e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Tepelena është e para, Shqipëria e para. Tepelena blu, Përmeti blu, Tirana blu, Kukësi blu, Shqipëria blu.


Berisha: Me autostradën që ndërtohet krijohen kushte të shkëlqyera për hapjen e bizneseve të mesme e të mëdha në bashkinë e Memaliajt


Kryeministri Berisha ndaloi gjatë mesditës, në Memaliaj, për tu takuar me qytetarët dhe për tu shprehur atyre mbështetjen për kandidaten e koalicionit”Aleanca për qytetarin”, zonjën Hatixhe Qendraj, si kryetare bashkie e Memaliajt. Duke e vlerësuar zonjën Qendraj si përfaqësuese dinjitoze të gruas shqiptare, kryeministri u zotua se në 4 vjeçarin e ardhshëm, investimet në bashkinë e Memaliajt do të pesëfishohen. Me premtimin për asfaltimin e çdo rruge dhe rrugice të këtij qyteti, kryeministri theksoi se me autostradën që ndërtohet krijohen kushte të shkëlqyera për hapjen e bizneseve  të mesme dhe të mëdha në këtë bashki, si dhe për punësimin e qytetarëve të Memaliajit. Në fjalën e mbajtur para qytetarëve të Memaliaj, kryeministri Berisha u shpreh: Së pari, ju përshëndes vëllazërisht  dhe përulem para jush me mirënjohje të thellë për mbështetjen që ju burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Memaliajt i keni dhënë Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj deri në ditët e sotme. Ju garantoj se ne mbetemi të detyruar, borxhli ndaj jush përgjithmonë. Sot jam këtu për të paraqitur si qytetare të parë të Memaliajt vajzën tuaj, nënën tuaj, simbolin e shkëlqyer të gruas së Memaliaj, Tepelenës dhe të  Shqipërisë, zonjën Hatixhe Qendraj, me zotimin tim më solemn se gjatë 4 viteve që vijnë investimet tona në bashkinë tuaj do të pesëfishohen. Me kryetaren tuaj të ardhshme të bashkisë do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti. Ka përfunduar projekti dhe është tenderuar ujësjellësi për të patur ujë 24 orë. Me autostradën që ndërtohet krijohen kushte të shkëlqyera për hapjen e bizneseve  të mesme dhe të mëdha në bashkinë tuaj dhe për punësimin e qytetarëve të Memaliajit. Do të bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj të shkollohen në shkollat më moderne në Memaliaj dhe kudo. Memaliaj do të realizojë standarde të një qyteti të zhvilluar. Në këtë rrugë ne jemi përballur me vështirësi, me mund, me sakrifica, por rruga e lirisë është rruga  e dinjitetit njerëzor, është rruga  e besimit, rruga e shpresës. Në këtë rrugë ne së bashku kemi bërë realitet ëndrrat tona më të bukura. Shqipëria anëtare e NATO-s. Qytetarët shqiptarë lëvizin të lirë pa viza, në mbarë Evropën. Në këtë rrugë ne shndërruam Shqipërinë në destinacionin kryesor turistik të Evropës dhe botës. Në këtë rrugë ne ia dolëm që ekonomia e falimentuar  e shqiptarëve të qëndrojë për tre vite rresht në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Në këtë rrugë ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet  e ulëta, të dyfishojmë rrogat e ulëta, të dyfishojmë rrogat  e mesme, të dyfishojmë ndihmën ekonomike. Krahas kësaj rrugë është rruga e vetme apo e vetmisë. Një gjë dua tu garantoj në mënyrë specifike. Të dashur qytetarë dhe qytetare, duke ardhur këtu u ndala me kryetarin e komunës Qendër dhe disa mbështetës të saj. Njëri prej tyre ishte me bindje të majta. Më tha: unë jam i majtë, por erdha të shtrëngoj dorën se ai kryetari im nuk e dinte fare që Memaliaj është bashki. Unë ju them vëllazërisht se nuk keni humbur gjë, se ai mendjen e ka vetëm tek vetja e tij. Njeriu  që kërkon të bëhet njëkohësisht kryetar bashkie, kryetar partie dhe kryetar qeverie, ai është i vetmi në Evropë, por e vërteta është se në 8 maj ai do t’i humbasë të treja. Memaliaj blu, Tepelena blu, Tirana blu, Shqipëria blu. Ndaj dhe ju ftoj më 8 maj të votoni zonjën Hatixhe Qendraj, si qytetaren tuaj të parë dhe unë ju garantoj se me përparësinë më të madhe, kryetarja jonë e ardhshme e bashkisë së Memaliajt do të ketë mbështetjen totale të qeverisë shqiptare për të gjitha projektet e saj. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, komunitetet tuaja janë të parët, Tepelena është e para, Memaliaj është e para. Ndaj dhe ju uroj fitore në 8 maj, fitore të thellë, fitore e interesave më të mirë për çdo qytetar. Ftoj qytetarët e Memaliajt, pavarësisht nga bindjet politike të urdhërojnë në alternativën tonë. Në shtëpinë e alternativës së qytetarit, ka vend për çdo qytetar, ka vend dhe është i mirëpritur me dinjitet dhe respekt. Garantoj se interesi, vizioni, përkushtimi i tyre do të marrin vlerësimin më të lartë. Në rrugën tonë ne duam së bashku të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›