Policia: Mesazhi nga " T- com", mashtrim kompjuterik

Policia e shtetit zbulon një prej mashtrimeve më të mëdha me llotari false të kryera ndonjëherë në vendin tonë. Disa qytetarë kanë rënë pre e mashtrimit, falë kombinacionit në internet, të personave që hiqen si organizatorë të llotarive.
Ndërkaq, bëhet e ditur se ditën e djeshme, në drejtim të disa numrave telefonikë është dërguar mesazh nga përdoruesi i identifikuar si "T-Com", me përmbajtjen e mëposhtme :
« Od:mrechlym Your Mobile Number has won 600.000 pounds in the Nokia 2011 Awards. Claimcode : G4SC. To claim your prize send email to nokia_40years@live.com ».
Policia deklaron se mesazhi në fjalë është një nga format më të spikatura të mashtrimeve kompjuterike të kryera nëpërmjet internetit. Ky mashtrim kryhet nëpërmjet postës elektronike duke njoftuar marrësit e mesazheve se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale.
Autorët e mashtrimit, gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme (deri në 600.000 paund).
Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e mashtrimit të tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke bërë qytetarët që të besojnë se ata janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Edhe këta të fundit rezultojnë të jenë viktima nga mashtrimet e mëparshme. Menjëherë sapo kryhet kontakti, mashtruesit bindin viktimat e mashtrimit të tyre se duhet të japin një shumë parash, paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar, taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa, apo dhe shërbime, etj. Me këto mashtrime, ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët.
Për këto raste nga Sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë së shtetit, janë kryer hetime për veprën penale të "Mashtrimit Kompjuterik".