U arratis nga burgu në Itali, arrestohet në Vlorë Altin Hoxha

Policia e Vlorës në bashkëpunim me policinë italiane ka bërë të mundur vënien në pranga të 28 vjeçarit Altin Hoxha, i arratisur nga burgu i Regina Coeli në Itali, në mesin e janarit të këtij viti.
Hoxha u arrestua në një fshat të Vlorës ku ishte fshehur për të humbur gjurmët, ndërsa kishte ndryshuar edhe identiteti në Ali Islamaj.
Hoxha dyshohet gjithashtu se në fillim të muajit shkurt ka përdhunuar një 54 vjeçare me origjinë nga Ekuadori, e cila ishte në shtëpi me mbesën e saj 14 vjeçare, pasi kishte ardhur prej pak kohësh në Itali për të vizituar të bijën.
Dy burra të cilët sipas të dhënave paraprake thuhet se ishin me origjinë të huaj, sulmuan gruan e cila ishte në rrethinat e vilës duke nxjerrë shëtitje qenin.
Me fytyrë të mbuluar dhe të armatosur me armë, pasi e kërcënuan, u futën në shtëpi, ku pasi gjetën kasafortën vendosën të presin të zotin e shtëpisë për ti marrë çelësat. Në pritje e sipër njëri nga hajdutët tërhoqi zvarrë 54 vjeçaren dhe pas kësaj e përdhunoi barbarisht.
Menjëherë sapo u kthye në shtëpi pronari, banda e hajdutëve lidhi viktimat me karikuesët e celularëve dhe më tej hapën kasafortën, ku nën bizhuteri ishin fshehur më shumë se 20 mijë euro.
Lidhur me këtë rast hetimet u morën në dorë nga policia dhe lidhur nga mënyra e lidhjes së viktimave ishte e njëjtë me atë të “Bandës së vilave”, që në vitin 2010 në zonën e Perugias bëri 10 grabitje njëra pas tjetrës mes të cilave edhe atë të trajnerit Serse Cosmi.
Elementi më i rrezikshëm i kësaj bande sipas policisë është shqiptari Altin Hoxha 28 vjeç, i cili më 14 janar u arratis nga burgu i Regina Coeli, së bashku me një shokun e tij të qelisë.
Hoxha i njohur ndryshe si “syakulli”, u arrestua në korrik të vitit 2011 nga policia e Romës pasi u identifikua nga viktimat e mëparshme të tij pikërisht prej syve të tij bojëqielli, që kishin terrorizuar dhjetëra familje në zonën e Perugias.
Mësohet se në bandën e shqiptarëve Hoxha ishte krahu i djathtë i kreut të saj, të cilit i pëlqente të torturonte viktimat.
Arrestimin e tij e ka përshëndëtur dhe Konsulli Italian në Vlorë Sergio Strozzi në një konferencë të përbashkët me policinëe Vlorës, ku ka vlerësuar punën e kësaj të fundit, ndërsa e ka konsideruar Hoxhën një person shumë të rrezikshëm.