E Shtunë, 31 Tetor 2026

U cenua imazhi Pack Reflektoni per integrimin

Në një analizë kritike për situatën politike të momentit në tiranë, eurodeputetja Doris Pack fajëson politikëbërësit  për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë. Sipas saj, konfliktet ndërpartiake po vonojnë trenin integrues vendit, dhe kjo kërkon kohë për t’u ndrequr.

“Shqipëria ka nevojë për punë, ka nevojë që parlamenti të funksionojë plotësisht. Shumica nuk i ka numrat për t’i miratuar të gjitha ligjet. Unë shpresoj që parlamentarët e opozitës të rikthehen dhe të bëhet e mundur që në këto dy vite të mandatit të kësaj qeverie, të përshpejtohet integrimi europian. Sepse ky është interesi i vendit, jo i opozitës, as i qeverisë. Dhe le t’i lënë betimet nga urrejtja për njëri-tjetrin. Sepse imazhi i Shqipërisë është ulur aq poshtë, sa s’ka ku të shkojë më keq. Vazhdimisht shohim e dëgjojmë të njëjtat gjëra. I duhet dhënë fund kësaj”- tha Pack.

Më tej, euoparlamentarja sqaron sesi përcillet ky konflikt në sytë e Brukseli.

“Sigurisht, ne nuk themi që politikanët ta duan njëri-tjetrin, por themi që ata duhet të jenë korrektë dhe të kenë respekt për njëri-tjetrin. Dhe ky respekt mungon. Klasa politike nuk sillet si një klasë e vërtetë politike”-theksoi ajo.

Kanë qenë të forta kritikat dhe thirrjet e ndërkombëtarëve për klasën politike shqiptare për gjetjen e një konsensusi  pas zgjedhjeve të 8 majit.

Gjovalin Kola Azhornuar së fundi ( e hënë , 20 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›