E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hague, letër Metës: Vendosni dialogun

Sekretari i Jashtëm britanik

Britania e Madhe bën thirrje për vendosjen e dialogut politik në vend. Në një mesazh falënderimi dërguar ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, z. William Hague, ka nënvizuar nevojën e kompromisit politik si shenjë e demokracisë dhe mentalitetit të klasës drejtuese në vend. “është e rëndësishme që të gjitha palët e debatit politik në Shqipëri të tregojnë aftësitë e tyre për të punuar së bashku, me qëllim ndërtimin e një vendi europian modern, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm”, thuhet në letrën e Hague, e cila është nisur në shenjë falënderimi për mesazhin e urimit të Metës për homologun britanik me rastin e marrjes së detyrës nga ky i fundit. Po kështu, kreu i diplomacisë britanike ka theksuar mbështetjen për Shqipërinë në kuadër të proceseve të integrimit, të cilat janë verifikuar si një sfidë e vërtetë për vendin tonë. “Sikurse diskutuam në Sarajevë, Mbretëria e Bashkuar i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe mbetet tërësisht e përkushtuar për anëtarësimin e saj në BE. Tashmë është realizuar progres shumë i madh, dhe shpresoj që të vazhdohet me reformat e nevojshme me të njëjtën energji dhe angazhim”, thuhet në letrën e Hague. Duhet thënë se prezenca britanike në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit sidomos në aspektin politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›