E Shtunë, 31 Tetor 2026

U japin zemër

Hillary Clinton dhe Catherine Ashton inkurajuan palën kosovare për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Ato thanë se Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic po bëjnë veprime të guximshme. Për procesin e dialogut, të mërkurën në Prishtinë, kryediplomatet e bindën edhe opozitën. Me Vetëvendosjen nuk u morën fare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë dhënë mbështetje vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi në nivel të lartë politik, duke lavdëruar Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, që kanë pranuar të takohen para 10 ditësh në Bruksel.

Gjatë qëndrimit në rajon, Ashton dhe Clinton kanë arritur të marrin përgjigje pozitive për takime tjera gjatë muajit nëntor.

Madje, është njoftuar se takimi i radhës mes Thaçit dhe Dacic pritet të zhvillohet më 7 nëntor.

Dy diplomatet në konferencën për media me Kryeministrin Thaçi kanë thënë se zyrtarët kosovarë dhe serbë, duke u pajtuar për dialogun, kanë ndërmarrë veprime të guximshme.

“Ne besojmë se dialogu që Kryeministri e ka filluar me zonjën Catherine Ashton dhe me Kryeministrin e Serbisë është absolutisht esencial, që siguron një rrugë të një stabiliteti afatgjatë, prosperitet të paqes për popullin këtu dhe popujt në rajon”, ka thënë Clinton.

“Ne po punojmë bashkë dhe afër me BE’në dhe me Përfaqësuesen e Lartë Ashton për të lansuar dialogun politik, që ka filluar dhe personalisht dua të përshëndes Kryeministrin Thaçi që ka ndërmarrë një rrezik politik, unë e di çka është të marrësh një risk politik, duke shkuar në këtë takim në Bruksel, mirëpo ka qenë vendim i drejtë, ka qenë vendim kurajoz dhe i mençur gjithashtu”, ka shtuar Clinton.

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së po ashtu ka thënë se dy Kryeministrat kanë bërë hapa të guximshëm.

“Dialogu që kemi nisur nuk është i lehtë. Nuk është i lehtë as për Kryeministrin, por as për Kryeministrin e Serbisë, Dacic. Unë e di se për popullin e Kosovës me historinë dhe frikën që keni, as për juve nuk është e lehtë, por ne duam t’ju bëjmë thirrje që ky dialog është për një jetë më të mirë, për të normalizuar jetën”, ka thënë Ashton.

“Kjo bëhet duke biseduar hapur dhe lirshëm. Thaçi dhe Dacic janë treguar guximtarë për takimin e mbajtur në Bruksel. Ishte takim i mirë (Thaçi - Dacic ) do të ketë edhe të tjerë shpejt”, ka shtuar Ashton.

Dy zyrtaret e larta më pas kanë kërkuar implementimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.

Clinton është shprehur kundër ndarjes së Kosovës duke adresuar vetëm shkurtimisht çështjen e veriut.

“Ne kundërshtojmë çdo lloj bisedimesh për ndryshimet territoriale apo rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës. Këto çështje nuk do të diskutohen, kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe të caktuar përgjithmonë. Unë i jap mirënjohje Kryeministri që thotë se është Kryeministër edhe i veriut edhe i jugut dhe ne mezi presim të ndihmojmë Kryeministrin, Qeverinë e tij dhe popullin e Kosovës, derisa ta përkthejnë në vepër si të thuash, këtë zotim edhe në jug edhe në veri”, ka thënë ajo.

Kryeministri Thaçi gjatë prononcimit të tij ka thënë se dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara.

“Dialogu është rruga e vetme e integrimit në Bashkimin Europian, është katalizatori vendimtar për suksesin e këtij procesi. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin e Kosovës është në interesin e Serbisë, është në interesin e rajonit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Qeverisë ka adresuar edhe çështjen e veriut të Kosovës.

“Ndonëse është shënuar sukses i jashtëzakonshëm në integrimin e qytetarëve serbë në jug të vendit, sfidë mbetet gjendja në veri dhe unë jam Kryeministër i të gjithë qytetarëve edhe qytetarëve në veri të vendit dhe do ju konfirmojë se do t’u shërbejë të gjithëve”.

Me këtë rast ai ka përmendur edhe çështjen e strukturave ilegale në pjesën veriore.

“ Ne do të punojmë shumë në projekte zhvillimore-atraktive për qytetarët tanë edhe në atë pjesë të vendit, do të vazhdojmë të zgjasim dorën e bashkëpunimit dhe të ofrojmë shërbime për të gjithë, por përkundër vullnetit tonë prania e strukturave ilegale të financuara nga Serbia po e bën shumë të vështirë punën tonë atje”.

Clinton dhe Ashton kanë takuar Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Thaçi, ndërsa kanë realizuar edhe një takim me përfaqësues të partive politike ku ka marrë pjesë kreu i LDK’së, Isa Mustafa, Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala dhe përfaqësues të komuniteteve në Kosovë.

Por, aty nuk është parë edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë subjekt kanë bërë të ditur se nuk janë ftuar për të marrë pjesë.

Ashton ka kërkuar mbështetjen e të gjitha subjekteve politike për dialogun.

“Shpresoj që Kryeministri do të mund të llogarisë në mbështetjen e të gjitha partive politikë gjatë këtij dialogu. Dhe kjo të bëhet duke u ditur që jo vetëm BE po punon në këtë çështje, por që ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, miqtë tanë- SHBA’në që ka luajtur një rol kaq jetik jo vetëm në Kosovë, por në mbarë BE’në”, ka thënë ajo.

Burime të Express kanë bërë të ditur se gjatë takimit nuk është diskutuar në detaje për çështjen e dialogut.

Nga pala kosovare është kërkuar që të miratojë ligjin për sistemin e të dhënave, pasi një gjë e tillë ndërlidhet me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Clinton ndërkaq ka riafirmuar përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës duke thënë vendi i saj është i përkushtuar që Kosova të ketë sukses.

“Për mua dhe familjen time dhe për shumë miq e bashkëkombës amerikan Kosova është më shumë se një çështje e politikës së jashtme, është thjesht një çështje personale.

Unë derisa po vija nga Aeroporti mbrëmë e pashë një statujë enormë të madhe të burrit tim që po qëndron afër dyqanit që quhet Hillary të dy i kam vizituar herën e kaluar që isha këtu, e pashë që dyqani ishte mjaft prosperues dhe gëzohem” ka thënë ajo.

Sekretarja e Shtetit gjatë takimit lamtumirës në Kosovë në këtë cilësi ka takuar edhe një grup grash të emërtuar “gratë lidere të Kosovës”.

Si dhe ka zhvilluar takime me priftin Sava Janjic dhe përfaqësues të komunitetit të serbëve të Kosovës.

Ashton dhe Clinton kanë arritur të martën në Prishtinë pas vizitës në Beograd, ku kanë takuar zyrtarët shtetërorë serbë.

Kryeministri Ivica Dacic ka thënë se Serbia është e gatshme që të normalizojë raportet me Kosovën duke lënë anash çështjet politike.

Ai ka falënderuar dy zyrtaret e larta që njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi nuk është kusht për vendin e tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›