E Diel, 1 Nëntor 2026

U mbaroi leje-qëndrimi,ndalohen dy turqit

• GJIROKASTËR – Ndalohen nga policia dy shtetas turq rezidentë në Gjirokastër, pasi u kishte mbaruar afati i leje-qëndrimit në Shqipëri.

Burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës, bënë të ditur dje se specialistët e sektorit të migracionit ndaluan Selman Kejif, 37 vjeç dhe Ergyn Arabaci, 35 vjeç. Dy shtetasit turq janë ndaluar në momentin kur po punonin në një punishte për lyerjen e makinave në qytetin e Gjirokastrës. Sipas policisë, Ergyn dhe Kejif, prej 1 prillit të këtij viti, iu kishte mbaruar leja e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë. Pas mbarimit të afatit të qëndrimit, ata nuk kanë bërë rifreskimin e dokumenteve. Mësohet se të dy turqit janë dërguar drejt Tiranës për në Departamentin Qendror të Kufirit dhe Migracionit për veprime të mëtejshme. Aktualisht në Gjirokastër punojnë mbi 100 shtetas të huaj turq, kinezë, grekë dhe italianë me qëndrim rezident në Shqipëri. Shumica e tyre janë punëtorë nëpër firma të ndryshme prodhuese dhe transportuese, si edhe pjesëmarrës në shoqata bamirëse. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›