E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA, ekspertë në Greqi për të luftuar manipulimet

UEFA ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar drejtuesit e futbollit grek për luftimin e fenomeneve negative në futboll, siç janë manipulimet e ndeshjeve, dhuna dhe dopingu.

Pas një takimi me presidentin e UEFA-s Mishel Platini, ministri grek i turizmit dhe kulturës Pavllos Gerulanos ka deklaruar se UEFA do të sjellë në shtetin helen 4 ekspertë të specializuar në këto çështje.

Platini ka bërë një vizitë në Parlamentin Grek, ku i ka dhënë kryeministrit Jorgo Papandreu një flamur të UEFA-s.

Vizita e tij vjen vetëm pak ditë pas zbulimit të një mega skandali të trukimit të ndeshjeve në vendin fqinj, që ka çuar në arrestimin e disa presidentësh klubesh dhe zyrtarëve të njohur, të përfshirë në manipulimin e 41 ndeshjeve.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›