USAID çertifikon suksesin e biznesit shqiptar si dhe rritjen e mirëqenies
Zëdhënësja e qeverisë Ministrja Majlinda Bregu përshëndet raportin ndërkombëtar të USAID-it, i cili vlerëson performancën ekonomike si dhe reformat e kabinetit “Berisha” për rritjen e mirëqenies dhe lehtësimin e klimës së biznesit
USAID vlerëson suksesin e reformave të qeverisë shqiptare, për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Zëdhënësja e Qeverisë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu përshëndeti dje përmes një konference për shtyp raportin e USAID mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri. Sipas saj, raporti më i fundit cilëson se ligji i ri për reformën e regjistrimit të biznesit, përmirësoi në mënyrë të jashtëzakonshme procesin e regjistrimit të biznesit në Shqipëri.
“USAID konfirmon edhe njëherë suksesin e reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare. Raporti mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri, përgatitur nga partnerët Shqipëri për programin e Pragut të Koorporatës ‘Sfida e Mijëvjeçarit’ cilëson se: Ligji i ri mbi reformën në regjistrimin e biznesit, i miratuar në Parlament në 3 maj 2007, dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit përmirësuan në mënyrë drastike procesin e regjistrimit të biznesit në Shqipëri. Kjo reformë ishte një hap i rëndësishëm në arritjen e qëllimit të përgjithshëm të Qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend”, u shpreh zëdhënësja, Bregu.
Sipas saj, pikërisht kjo reformë solli përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare dhe investitorët e huaj: një proces më të thjeshtë, më të shpejtë , më pak të kushtueshëm për regjistrimin dhe hapjen e një biznesi të ri. Zëdhënësja e Qeverisë vuri në dukje se raporti i USAID, vlerëson në detaje të gjithë periudhën e regjistrimit të biznesit, që nga ulja e tarifës së aplikantë deri te reduktimi i kohës së regjistrimit.
“Ky raport vlerëson lehtësimin e procedurave të regjistrimit të biznesit; duke ulur tarifën në ngarkim të aplikantëve vetëm në 100 lekë, duke reduktuar kohën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri, në një ditë, dhe duke kombinuar të gjithë hapat e regjistrimit në një procedurë të vetme, përfshirë edhe administratën tatimore”, vuri në dukje zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu.
Rezultatet e fundit të studimit tregojnë se 90 për qind e të intervistuarve e përcaktuan nivelin e kënaqësisë nga shërbimet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si të mirë ose shumë të mirë.
“93 për qind e të intervistuarve pohojnë se procedurat e aplikimit janë shumë të qarta dhe ky rezultat nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendndodhjes së biznesit ose llojit të të intervistuarit. Shumica e të intervistuarve pohojnë se kanë marrë certifikatën e regjistrimit të biznesit brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes së kërkesës së tyre. Rritja me 48 për qind e regjistrimit të bizneseve vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2010, konkretisht në 10 514 në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2009, kur ishte 7 089 biznese të regjistruara, është një nga treguesit kryesorë të kësaj performance dhe efikasitetit të reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare. Lehtësimi i procedurave për regjistrimin e biznesit, transparenca në shërbimet publike, transparenca në shërbimet on-line të prokurimeve elektronike, janë reformat kryesore dhe elementët e vlerësuara në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve si pjesë dhe hallka kyçe në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi më tej, zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu.