E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimet e Feithit

Të gjitha planet dhe projektet që Qeveria e Kosovës ka hartuar për kthimin dhe investimin e parave të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve në Kosovë, shefi i ICO`së, Piter Feith, ia ka hedhur poshtë. Me një letër drejtuar ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shalës, të cilën e posedon edhe gazeta Express, Feith ia tërheq vërejtjen se këto para assesi nuk mund të kthehen. Kreu i ICO`së thotë se këto para mund të investohen vetëm në instrumente të ranguara me notë investuese nga agjencitë ndërkombëtare të rejtingut.

Kështu që ato mund të investohen vetëm në instrumente të ranguara si BBB- apo BAA3 ose më të larta. Kushte këto të plotësuara vetëm nga vende me standard të lartë ekonomik, prej të cilave Kosova nuk posedon asnjë. Të paktën jo derisa nuk është ranguar nga agjencitë ndërkombëtare të rejtingut. Agjencitë e Rejtingut janë ato të cilat i kategorizojnë shtetet në nivelet e caktuara për siguri të investimeve.

“Derisa Kosova të mos ketë një nivel të graduar të investimeve nga ndonjë agjension ndërkombëtar i gradimit, nuk mund të huazojë nga këto fonde”, thekson Feith.
Ai i referohet Kornizës afatmesme të shpenzimeve e aprovuar më 30 prill, me të cilën parashihet se Qeveria e Kosovës duhet të drejtohet për huazime të reja të pashmangshme.
Megjithëse pohon që është i vetëdijshëm se qeveria nuk ka deklaruar se qëllimi është për të huazuar nga këto fonde, Feith tërheq vërejtjen që as të mos mendojnë në këtë drejtim.
“Synimi im me këtë letër është t’ju përkujtoj juve limitimet serioze që imponohen për huazime të tilla të mundshme me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës”, thekson Feith.

Në letër, ai shkruan se në nenin 2.1 të aneksit VII të PGJSK`së, Fondi i Privatizimit i mbajtur nga AKP duhet të ruhet për kreditorët dhe ankesat për pronësi.

Kjo nënkupton për arsye të caktuara dhe afatin e kujdestarisë se AKP është e detyruar të shikojë sigurinë, likuiditetin dhe kthimin nga investimet e mundshme në bazë të këtyre rregullave, dhe gjithnjë duhet të përcjellë rregullin thelbësor të diversifikimit, duke shmangur pozicionimet në një treg të vetëm.

“Duhet të shtoj se mandati i AKP`së është që paralelisht me privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore, t`i likuidoj ato dhe në këtë mënyrë të paguaj nga fondi i mirëbesimit kreditorët apo pronarët e NSH`ve dhe bilanci i mbetur shkon në thesarin e Kosovës”.

Përveç kësaj, i përkujton se në katër vitet e ardhshme fondi i mirëbesimit të AKP`së do të jetë më i vogël sesa që është tani, pasi që mjetet të jenë shpërndarë te kreditorët, pronarët dhe thesari.

Shpërndarja e tyre, Feith thotë se do të jetë profitabile për ekonominë dhe financat publike të Kosovës, me të cilat do të zvogëlohen nevojat e mundshme për huazim. E sa i përket Trustit, sipas numrit një të ICO`së, edhe sikur të gjitha kriteret për investim të mjeteve në Kosovë do të plotësoheshin, prapë mbetet diversifikimi i riskut problem, pasi që Trusti nuk mund të rrezikojë t’i investojë të gjitha mjetet në një vend të vetëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›