E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uebsajti i Universitetit, komunikim i drejtpërdrejtë me pedagogët



Një mjedis virtual për studentët dhe pedagogët do të paraqitet në fund të javës. Bëhet fjalë për faqen e re të internetit të Universitetit të Tiranës, që do të përmbajë jo vetëm të dhënat standarde që ka pasur deri tani, por edhe interaktivitet, në mënyrë që t`u vijë në ndihmë studentëve të universitetit më të madh në vend. “Mirë se erdhët në uebsajtin e ri të universitetit më të madh shqipfolës, Universitetin e Tiranës”, – do të jetë parulla e kësaj faqeje, që pritet të ndryshojë mënyrën e komunikimit studentë-pedagogë.

Interaktiviteti

Faqja e re e internetit ka parashikuar një mundësi të re për komunikimin studentë-pedagogë. Çdo pedagog, qoftë titullar apo asistent, në secilin prej departamenteve që përmban Universiteti i Tiranës do të ketë një email të afishuar në këtë faqe interneti, që do të jetë email-i i tij zyrtar, me @unitir.edu.al. Në këtë mënyrë, studentët do të mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me pedagogun për çështjet mësimore, duke krijuar një sinergji studentë-pedagogë, sipas hartuesve të kësaj faqeje.

Uebsajti i Universitetit ka krijuar mundësinë e anëtarësimit në të për të gjithë të interesuarit. Anëtarësimi do të mund të bëhet menjëherë, thjesht duke shënuar të dhënat personale, adresën e email-it dhe fjalëkalimin e anëtarësisë sate. Menjëherë dërgohet një email në postën tuaj elektronike dhe mjafton konfirmimi i anëtarësisë për të aktivizuar llogarinë. Kjo krijon mundësinë e formimit të një rrjeti të studentëve dhe pedagogëve, duke mundësuar edhe interaktivitetin e faqes.

Faqja

Burime nga departamenti i Komunikimit në Universitetin e Tiranës bëjnë të ditur se për krijimin e faqes së re po punohet prej dy muajsh dhe se në fund të kësaj jave besohet se do të ketë përfunduar i gjithë procesi. Në këtë mënyrë, prej javës së ardhshme, të gjithë studentët, pedagogët, por edhe ish-studentët e të interesuarit e tjerë për Universitetin e Tiranës do të mund të klikojnë në unitir.edu.al për të parë produktin e ri të universitetit më të madh në vend.

Faqja e re e internetit parashikon gjithashtu edhe informacione utilitare mbi studentët, si pranimet, tarifat, datat dhe çdo të dhënë tjetër që i nevojitet studentit, përpara dhe pasi hyn në mjediset e universitetit më të madh në vend. Gjithashtu, në të do të publikohen edhe ndryshimet e kryera në universitet, fakultete dhe departamente, si një mundësi interaktive informimi për studentët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›